Në kuadër të Festivalit të Teatrove
që po mbahet këto ditë në Ferizaj, është promovuar vepra studimore e regjisorit
tashmë të ndjerë Bekim Lumit, me titull “Shekspiri dhe Kanuni i Lekë
Dukagjinit”. Me këtë rast profesoresha Qibrije Demiri, tha se vepra “Shekspiri dhe Kanuni i Lekë
Dukagjinit”, është një studim krahasues në mes veprës “Makbethi” të
Shekspirit dhe normave kanunore të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
“Realisht kemi krahasime, por krahasimet këtu thuajse janë të pamundura,
kjo është një vepër shkencore hulumtuese, në kuptimin e veprës artistike të
tragjedisë ”Makbethi” edhe në kuptimin e një vepre gojore që është ”Kanuni i
Lekë Dukagjinit”. Bekimi qysh në fillim dëshiron të na shtyjë, para se të na
shtyjë në botën e përgjakët të ”Makbethit” na njofton se për ta shkruar
Shekspiri këtë libër, ngjarja e librit është
e shekullit XI, ky shkruan në fillim të shekullit XVII, Shekspiri d.m.th
është përfaqësues i humanizmit të periudhës së humanizmit dhe renesancës në Evropë, kurse Bekimi e shkruan tek viteve
të fundit, d.m.th është një gërshetim i kohëve, Kanuni mendohet së është nga Ilirët
por është funksionalizuar nga Lekë Dukagjini d.m.th në kohën e Mesjetës, në
kohën e Skënderbeut kur edhe kemi edhe Kanunin e Skënderbeut me pak ndryshime
nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, kështu që është një gërshetim, është një rrjet
kohësh që realisht i mundësojnë një
rrjetë perspektivash të shikimit të këtyre dy veprave të Bekim Lumit“,
tha mes tjerash Demiri.
E, dramaturgu Arian Krasniqi, tha se
Bekim Lumi jetën e pranoi si teatër, ndërsa teatrin si jetë deri në frymën e
fundit të tij.
“Për Lumin kuptimi përmbajtësor i lojës në jetë dhe i lojës në
teatër është i njëjtë ndryshon vetëm forma, Lumi jetën e pranoi si teatër dhe
teatrin si jetë deri në frymën e tij të fundit si lojëtar i perfeksionuar dhe
artist i pakrahasueshëm i teatrit të kohës sonë, loja e Lumit si në jetë ashtu
edhe në teatër ishte e veçantë, i pandikuar nga askush dhe plotësisht origjinal,
ai i tillë është edhe në këtë libër. Lumi nuk qe kopje e askujt as ne jetë, as
në teatër, jetes ia fali energjinë, kokëfortësinë, bindjen e pathyeshme,
guximin, besnikërinë, miqësinë, dashurinë, respektin dhe përkushtimin dhe
gjithçka tjetër që e bënte atë të dallohej nga te tjerët, teatrit tonë ia fali
dijen, kreativitetin, invensionin, estetikën dhe lodhjen e bukur filigraneske
skenike“, u
shpreh dramaturgu Krasniqi.
Ish-regjisori dhe profesori i
Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, vdiq vitin e kaluar duke lënë pas
dhjetra shfaqje të realizuara.