Karateistë, boksierë, notarë,
gjimnastë e sportistë të tjerë të sporteve të ndryshme, performuan sot para qytetarëve
të Ferizajt në hapjen e Panairit të Sporteve që u organizua nga Komiteti
Olimpik i Kosovës.
Përfaqësuesit e klubeve ferizajase, thanë se
ky panair promovon sportet dhe klubet si dhe u krijon mundësi fëmijëve të
shkollave fillore që të shohin nga afër praktikimin e sporteve. Megjithatë, atyre
nuk u pëlqeu organizimi, për çka thanë se janë njoftuar tek mbrëmë për këtë
aktivitet dhe nuk u është dhënë mundësia të përgatiten.
“Paniret janë të mira pasi qytetarët shohin sporte të ndryshme për
së afërmi dhe janë të mira“, tha Faton Asllani nga klubi i notit ”Ferizaj”.
“Njoftimi është bërë me vonesë, organizimi nuk ka qenë siç e kemi planifikuar,
nxënësit janë në shkollë dhe ata të cilët punojnë, por prapë e ka efektin e vet
edhe pse do të duhej të ishte më mirë i organizuar“, tha Gani Mahlla nga klubi i
karatesë “Kastrioti”.
“Me të thënë të drejtën më kishin pas shkruar në viber dhe mbrëmë më
ka thirrë Bashkimi megjithëse problem me ardhë ata më të mirët pasi janë në
shkolla dhe nuk patëm mundësi t’i lajmërojmë“, tha Jetish Hetemi.
Përfaqësues të klubeve sportive në Ferizaj,
theksuan problemet me të cilat po ballafaqohen.
“Klubi notit në Ferizaj bën ushtrime në qytete të tjera, bëjmë disa
kilometra larg vetëm për ushtrime, neve na duhet një pishinë, pasi ka mjaftë të
interesuar për notin“,
tha Faton Asllani.
“Mbështetje financiare nuk kemi as prej shtetit e as prej militetit,
për nga infrastruktura klubet pa pasur salla, pajisje rezultati nuk mundet me
qenë, por ne jemi munduar ta dëshmojmë veten si klub i karatesë pavarësisht
këtyre”, tha
Gani Mahalla.
Ky është edicioni i pestë i Panairit të Sporteve
që ka organizuar Komiteti Olimpik i Kosovës. Organizimi i këtij aktiviteti
sivjet rastisi me 5 vjetorin e njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.