Për herë të fundit po ngjitet këtyre
shkallëve për të shkuar tek zyra në të cilën punoi 16 vite. Është ky Halit
Grainca, i cili udhëhoqi shkollën ”Halit Ibishi” në Cërnillë për 4 mandate
radhazi, ndërsa sot po del në pension.
Grainca, i cili përveç që udhëhoqi
këtë shkollë 16 vite, ai ishte edhe mësuesi i parë i këtij
fshati. Ai thotë se puna shumëvjeçare si mësimdhënës kishte edhe sfidat e saj.
“Jeta ime ka shkuar më gjatë ketu se në shtëpi, 45 vite, gati një gjysmë shekulli në shkollë. Kam
filluar punën në arsim nga vitit 1974, në këtë shkollë kam qenë mësimdhënës,
por edhe nga viti 2003 udhëheqës i kësaj shkolle e që kënaqësia ime ishte kjo se mision vetës
ia kam dhënë që të edukoj dhe arsimoj gjeneratat dhe jam munduar t’ia arrijë. Puna
në arsim është sfiduese, kemi perjetuar gjëra të rënda, kemi pasur pengesa,
besa edhe burgim, por qëllim e kishim edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të
reja“, tha
Grainca.
Grainca, thotë se ndihet i kënaqur që
shkollën po e lë me një infrastrukturë mjaft
moderne.
“Sot në shkollën tonë që
është e vetmja në Kosovë zhvillohet mësimi online, çdo klasë ka laptop, smart
tv, dhe janë të gjitha mjetet e konkretizimit, kështu që jam i kënaqur që po i
lë me një infrastrukturë të shëklqyer dhe besoj se kanë me ia dalë“, tha Grainca.
Megjithatë, ai thekson se me daljen në
pension nuk do të shkëputet tërësisht nga kjo shkollë. Thotë se do të jetë aty
saherë që i kërkohet ndihmë.
”Duhet me dashtë arsimin, të gjithë duhet të përkushtohen, nuk është
ditë e lehtë sot për mua, fëmijët i kam
dashur, por kësaj shkolle nuk do t’i mungoj, nëse kanë nevojë për prezencën
time, këshillat e mia gjithmonë do të jem prezent“, tha Grainca.
Përkushtimin për punën e drejtorit
Grainca, e çmoi lartë kolegia e tij Minire Grainca,
e cila punoi më shumë se 30 vjet me Graincën.
“Ka qenë mjaft shumë entuziat
të punoj, e ka dashur punën, po ashtu ka qenë shume kolegial“, tha Grainca.
Pasardhëse e Graincës do të jetë
Mereme Zhinipotoku, e cila thotë se nuk do ta
ketë të vështirë ta udhëheq këtë
institucion, pasi aty ka traditë
menxhuese.
“Do të jetë privilegj për mua, por edhe përgjegjësi, mirëpo në këtë
shkollë mendoj që nuk do ta kem vështirë menaxhimin pasi këtu ka traditë menaxhimi“, tha Zhinipotoku.
Fjalë miradie për Graincën tha edhe
drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, i cili i dhuroi edhe një
mirënjohje për kontributin e dhënë në arsim.
“Po e percjellim në pension një bashkëpunëtor të suksesshëm, një
mësues, një drejtor të suksesshëm dhe si të tillë ne do të mundohemi ta ndjekim
rrugën e tij“, tha
Llabjani.
Për t’i uruar pensionimin drejtorit
të tyre, nxënësit dhe arsimtarët kishin
organizuar një program kulturo-artistik.