Bletaria si profesion është i vështirë,
por nëse këtë e ke hobi atëherë është shumë e lehtë, ngase me përkushtim
arrihet gjithçka. Kështu thotë Rasim Hamiti, bletar nga Ferizaj, i cili po vlerësohet
për cilësinë e mjaltit të prodhuar nga bletët e tij.
“Më shumë që më ka çu peshë është ky vlerësimi i fundit, është një
shoqatë e bletarëve në Sazin të Bosnjës
në kufi me Kroacinë, nëse nuk gaboj, edhe atje i kam dërgu disa mostra dhe e
kam fitu medaljen e argjend, ka pas konkurrentë edhe prej Gjermanisë, Austrisë,
Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, prej Kosovës kisha qenë vetëm unë që jam renditur
i 31-ti në renditjen e gjithëmbarshme kam marrë një medalje të argjend, kam
gabuar në kategorizim, mjaltin e kam shkruar që është mjaltë livadhi, mirëpo
ajo kishte qenë mjaltë mali edhe për atë kam humbur pikë se përndryshe isha
renditë shumë më lartë“, theksoi ai.
Me këtë profesion me të cilin Rasimi
merret që 3 vite, nuk është i angazhuar vetëm ai. Për më shumë se 120 koshere
bletësh, përkujdeset e gjithë familja.
“Këtë mjaltë e kemi nxjerrë bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët d.m.th
e kemi bërë një punë familjare, normal që mjalta është e bletëve dhe është
merita e tyre më shumë, por ne e kemi bërë punën e centrifugimit, nxjerrjen e
kornizave dhe gjithçka tjetër e kanë bërë fëmijët dhe bashkëshortja“, u shpreh Hamiti.
Hamiti, thekson se për të qenë bletar
i suksesshëm nuk mjafton vetëm përkujdesi ndaj bletëve, por duhet edhe dashuri ndaj tyre.
”Unë e kam fituar tashmë një stad, nëse nuk i shoh një ditë, nuk i afrohna
secilës koshere te hyrja edhe me pa në çfarë gjendje janë bletët, si po hynë si
po dalin, aty është një pasqyrë që neve bletarëve na tregon se në çfarë gjendje
janë, si shëndetësore, a kanë rezerva të mjaltit, gjithçka aty e shohim“, tha ai.
Hamiti, kërkoi më shumë bashkëpunim në
mes të bletarëve ferizajas, duke thënë se një gjë e tillë nuk është për lakmi në
Ferizaj.