Rrruga kryesore e fshatit Manastirc të
komunës së Ferizajt, me gjatësi prej 3 kilometrash u asfaltua sot.
Banorët e këtij lokaliteti e mirëpritën
këtë investim, duke e cilësuar si nevojë të kahmotshme të këtij fshati.
Përfaqësuesi i fshatit Manastirc,
Shaban Sejdiu, tha se kjo rrugë ka rëndësi të veçantë, meqë lehtëson
qarkullimin edhe për në fshatrat tjerë të komunës së Ferizajt.
“Kjo i lehtëson banorët e Manastircit, i lehtëson shumë, por edhe 5
fshatra të tjerë i lidh mes vete, janë dy Nerodimet, Balaj, Zaskoku, Jezerci,
Dramjaku mundet me u lidh me Zaskok, Pleshina, Gremja në atë anë për mos me
shku në Ferizaj, për 3 kilometra duhet me i ba 10 kilometra anej me shku“, tha Sejdiu.
Ndërsa, Xhevdet Haxhidema, banor i
kësaj ane, tha se ndihet i kënaqur me realizimin e këtij projekti.
“Ne si komunitet, si banorë të fshatit Manastirc jemi
jashtëzakonisht të gëzuar sot, d.m.th i gëzohemi këtij projekti
infrastrukturor siç është asfaltimi i
rrugës kryesore të fshatit Manastirc që është pjesë e unazës së jashtme të
qytetit, siç e dimë të gjithë banorët, por edhe më gjerë këto kanë qenë rrugë
shumë të dëmtuara dhe të amortizuara, kemi pas vështirësi në qarkullim, tani e
tutje me asfaltimin e rrugës kryesore, por edhe me asfaltimin e rrugicave që
janë bërë nëpër të gjithë fshatin Manastirc në njëfarë forme po kompletohet
infrastruktura rrugore në fshatin tonë, s’ka diskutim që të gjithë banorët i
janë gëzuar projekteve infrastrukturore të cilat janë realizu në fshatin tonë“, tha Haxhidema.
Me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë
së Infrastrukturës në Ferizaj Arbër Bytyqi, tha se duke pasur për bazë kushtet
e mira atmosferike, kjo drejtori i ka shtrirë projektet e saj në komunën e
Ferizajt.
“Sot jemi në fshatin Manastirc dhe po asfaltojmë rrugën kryesore të
fshatit, një projekt shumë i rëndësishëm pasi që kjo rrugë ka qenë në kushte të
mjerueshme dhe ne e kemi shfrytëzuar kushtet e mira atmosferike që të
përfundojmë këtë projekt për banorët e fshatit Manastirc, bëhet fjalë për një
gjatësi të rrugës rreth 3 kilometra dhe gjerësi 5 metra, gjithashtu në pjesët
ku do të jetë e mundur për shkak se gjerësia e rrugës nuk e mundëson komplet
vendosjen e trotuarit, por në hapësirat ku do të jetë e mundur do të vendosim
edhe trotuarin, krejt këto ndryshime për këtë projekt janë bërë në bashkëpunim
me këshillin e fshatit dhe banorët e fshatit Manastirc, po besoj që sot po
përmbyllim një projekt shumë të rëndësishëm, për atë më herët kemi përfunduar
edhe një pjesë ose më mirë me thënë shumicën e rrugicave të fshatit Manastirc
dhe po besoj që tash me përfundimin edhe të rrugës kryesore fshati Manastirc do
të jetë i kompletuar me infrastrukturë rrugore”, tha drejtori Bytyqi.
Ndërkaq, sa i përket pjesës së mbetur
të rrugës së paasfaltuar që lidh
fshatrat Manastirc, Pleshinë dhe Zaskok,
drejtori Bytyqi pati një sqarim.
“Bëhet fjalë për një segment rreth 300 metra, aty kemi pas telashe
me pronat dhe ne jemi duke i dhënë drejtim edhe asaj çështje pasi që së bashku
me Drejtorinë e Pronës vetëm se i kemi filluar procedurat e shpronësimit dhe
pas përfundimit të procedurave të shpronësimit edhe ai segment prej 300 metrave
do të përfundohet, është një segment shumë i shkurtër, mirëpo e dimë edhe ne që
është në gjendje jo të mirë, por po besoj që shumë shpejt Drejtoria e Pronës do
t’i zgjidhë kontestet të cilat janë me prona dhe ne do të vazhdojmë me asfaltimin
e e atij segmenti të shkurtër rreth 300 metra, po besoj që është çështje shumë
e vogël e cila do të përmbyllet shumë shpejt“, tha drejtori Bytyqi.
Ky projekt po realizohet në kuadër të
projektit të unazës së jashtme të qytetit, i cili kap koston e rreth 3 milionë
eurove.