Muaji tetor njihet si muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit. Sipas hulumtimeve, një nga tetë gra diagnostikohet me kancer të gjirit, i cili është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe që mund të paraqitet në çdo moshë, por shumica e rasteve janë tek gratë në moshë mbi 45 vjeç.
Kirurgu ferizajas Xheladin Reçica,
duke treguar shenjat e para të kancerit të gjirit, tha se kjo sëmundje mund të
luftohet dhe mund të shërohet në rastet kur kapet në fillimet e saj.
“Femrat duhet të dinë si ta
zbulojnë më herët këtë sëmundje, pasi zbulimi i hershëm i sëmundjes është i barabartë
me shërimin e plotë. Tumori i gjirit është i prekshëm gjatë kontrollimeve
rutinore dhe është me rëndësi me zbulu tumorin me madhësi nën 1 centimetër.
Është një sindromë e hershme në të cilat tumori shkakton dhembje në nyje, në
eshtra dhe shpesh femrat mjekohen për shkak tyre, ndërsa më vonë zbulohet se
shkakatar kryesor i këtyre dhembjeve ka qenë kanceri i gjirit, por simptoma
kryesore është tumori në gji dhe ajo preket, kemi raste kur ka rrudhosje të
lëkurës, raste kur përmes mamillës ka gjakosje, ka raste kur njëri gji është më
i rritur se tjetri, por kemi edhe raste të ndryshme, por kryesorja është prekja
e tumorit në gji”, tha Reçica.
Reçica, thotë se përveç fushatave
sensibilizuese, shteti duhet të bëj më shumë për këtë sëmundje.
“Nënat dhe gratë janë duke bërë mjaft në zbulimin e sëmundjes, por
ne si shtet duhet të mendojmë më shumë për to dhe ta zbulojmë sëmundjen kur
është në fazë fillestare e jo veç kur është e prekur më tumor, prandaj kjo
duhet të shkoj përmes Ministrisë së Shëndetësisë, Fakultetit të Mjekësisë, të bëhen
programe të posaçme të zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe ajo është
faktikisht edhe shërim i plotë i kësaj sëmundje”, tha Reçica.
Kurse, në Qendrën Kryesore të
Mjekësisë Familjare në Ferizaj, nuk kanë të dhëna se sa është numri i femrave
të prekura me kancerin e gjirit në këtë komunë, pasi informatat e tilla, sipas
tyre, i mban Onkologjia, por thonë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë kryer afër 420
shërbime diagnostike.
Xhevdet Haxhidema, shef i
diagnostikës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, tha se mamografi është
në dispozicon çdo ditë dhe se nuk ka listë të pritjes.
“Unë u kisha bërë thirrje të gjitha grave, nënave të komunës së
Ferizajt, por edhe rajonit, që nëse ndjejnë vetën që kanë ndonjë problematikë që
ka të bëj me gjirin të afrohen tek mjeku familjar apo torakal, pastaj me një
raport qoftë të mjekut familjar mund të ofrohen shërbimet diagnostike dhe të
bëjnë mamografinë. Nuk ka lista të pritjes, maksimumi që i bie të pres për të
marrë ekzaminim është 2-3 ditë, por ka raste edhe që kryhet brenda ditës.
Mamografi është tek objekti që është i vendosur, rentgeni mjafton me u paraqitë
atje dhe është lista regjistrohen, pasi ta bëjnë mamografinë bashkë me imazhin
e mamografisë ato paraqiten tek radiologia dhe ajo shoqërohet si ekzaminim
bashkë edhe me një eho të gjirit dhe merren
të dhënat nga dy ekzaminimet dhe merret një raport i përbashkët nëse vërehen
ndryshime referohen tek mjeku për
trajtim të mëtutjeshëm”, tha Haxhidema.
Gjatë këtij muaji të ndërgjegjësimit
për luftën kundër kancerit të gjirit, mamografia në QKMF-në e Ferizajt do të
bëhet pa pagesë, derisa muajve të tjerë ky shërbim kryhet me një çmim prej 6
eurosh.