Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur
tubim elektoral me simpatizantët e saj në Kaçanik. Me këtë rast, kryetari i
Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u tha kaçanikasëve se erdhi dita që më 6
tetor të shpenzojnë 15 minuta kohë për të votuar, në mënyrë që të fitojnë 4
vite mirëqenie me dinjitet.
“Të gjithë ju këtu dhe ata të tjerët në Kaçanik që na ndjekin në
rrjetet sociale e padyshim që do të na bëjnë fitimtarë më gjashtë tetor, kanë
nevojë për edukim e aftësim profesional, për punë të dinjitetshme, e tash erdhi
dita që të ndajmë 80 milionë euro për ndërmarrësi, që të përkrahim 8 mijë grupe
të rinjësh në mandatin tonë katër vjeçar, sepse të rinjtë e Kaçanikut, sikurse
të rinjtë e të rejat në mbarë Kosovën kanë talentin e zgjuarsinë, e me Vetëvendosjen
në qeveri do ta kenë edhe mbështetjen edhe mundësinë, erdhi dita ta luftojmë
varfërinë e ta mbështesim rininë”, tha mes tjerash Kurti.
Kandidatët për deputetë nga Lëvizja
Vetëvendosje në Prishtinë, Ferizaj e Kaçanik, kërkuan votën e kaçanikasëve në
zgjedhjet e 6 tetorit, duke premtuar ekonomi më të zhvilluar, arsim më cilësor
dhe emancipim të gruas në shoqëri.
“Na ndihmoni ta ndihmojmë të riun e pashpresë, qytetarin e papunë,
të varfërin e shkretë, skamnorin e braktisur e të sëmurin e shpërfillur, na
ndihmoni ta ndihmojmë studentin e profesorin, pacientin e mjekun, punëtorin e
sipërmarrësin, bujkun e fermerin, na ndihmoni ta ndryshojmë Kaçanikun e Kosovën”, tha Avni Tafili, kandidat për deputet nga Kaçaniku.
“Fitoren e 6 tetorit bashkë me kandidatin tuaj dhe nga e gjithë
Kosova sot kemi ardhë këtu me i dhënë mbështetje liderit politik më të pastër,
më të dijshëm, më të guximshëm që ka dhënë shqiptaria në dekadat e fundit,
kryeministrin në ardhje Albin Kurtin. Tubimi i sotëm qenka madhështor duke iu
falënderuar juve qytetarë të Kaçanikut, aktivistë të Vetëvendosjes, djem e
vajza që shqiptarinë e keni në zemër, me ju fitorja e VV-së dhe fitorja e
Kosovës është shumë më afër se kurrë, programi është thënë qartë dhe qytetarët
e Republikës së Kosovës e dinë fare mirë, qytetarët e Kaçanikut dhe tërë
populli i Kosovës e meritojnë që ta gëzojnë një shtet me ekonomi të zhvilluar,
me demokraci që vepron dhe me institucione që u shërbejnë dhe u japin juve
llogari“,
theksoi Enver Haliti, kandidat për deputet nga Ferizaj.
“Qeveria Kurti për emancipimin e gruas do të nis me 1 mijë burësa
për studentet, për vajzat, sidomos për intelegjencën e tyre në shkencat teknike
natyrore brenda dhe jashtë vendit“, u shpreh Vlera Gjakova kandidate për deputete nga
Prishtina.
Për t’i dhënë mbështetje liderit të
tyre, në këtë tubim elektoral të pranishëm ishin edhe kandidatë të tjerë që
garojnë për pozitën e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.