Në këtë ekran që është i vendosur në
murin e hotelit ”Lybeten” në qendër të
qytetit të Ferizajt, çdo ditë shfaqen video të ndryshme, por sot ky ekran është
zbukuruar me një video e cila është ndryshe nga të tjerat.
Në këtë ekran, qytetarët do të shohin Elën e
cila punon në një ordinancë stomatologjike, Besnikun punonjës në një kafiteri
dhe Leartin pjesë e një barnatoreje, që
të tre të prekur me sindromën down, por që dëshmojnë se edhe ata mund të
punojnë si gjithë personat e tjerë.
Kjo video me qëllim sensibilizimin e
shoqërisë, është ide e nënës së Elës, Indira Alija, e cila thotë se këtë
inciativë e ka marrë për t’ua dëshmuar qytetarëve se edhe kjo kategori e
shoqërisë është e aftë të punoj.
“Video është për sensibilizimin e personave me nevoja të veçanta, në
shikim të parë përceptohet se çfarë domethënie ka. Është Ela e cila punon si
asistente, ndërsa është edhe Besniku në një kafeteri duke shërby kafe dhe
Learti në barnatore duke palu barna dhe kjo dëshmon se munden me ia arritë edhe
këta që të punojnë“,
tha Alija.
E, Besniku, Ela dhe Learti, të
motivuar për punën që bëjnë, thonë se nuk po kanë asnjë pengesë për të punuar.
“Jam shumë e kënaqur, të gjithë mund ta bëjnë këtë punë”, tha Ela Aliu.
“Shumë mirë është aty, të gjithë munden me punu”,tha Leart Gashi.
“Unë punoj, kafe përgatiti, jam shumë i kënaqur, tabakun e mbaj, ka
me u bë më i miri“,tha
Besnik Haliti.
Kurse, realizatori i kësaj videoje,
Arban Gashi, thotë se kjo video është më e mira që ka realizuar ndonjëherë.
“Këta persona meritojnë shumë, shihet puna e tyre që janë aktiv, ata
munden me qenë të barabartë me neve në secilin profesion, ata janë shumë të
aftë, është shumë kënaqësi të punosh me ta“, tha Gashi.
Inicuesit e kësaj video thanë se shpresojnë që
do t’ia arrijë të ndërgjegjësojnë shoqërinë, me theks të veçantë bizneset, që
të punësojnë persona me nevoja të veçanta.
Kjo video motivuese në këtë ekran do
të qëndroj 24 orë.