20 juniorët më të mirë të Kosovës në pingpong kanë filluar përgatitjet për turneun- e të rinjve që do të mbahet në Maltë. Në kuadër të përgaditjeve për këtë turne, pingpongistët kanë organizuar kampin e dytë veror, i cili kësaj radhe po mbahet në hapësirat e shkollës fillore “Tefik Canga” në Ferizaj. Trajneri Remzi Shala, thotë se është zgjedhur pikërisht kjo shkollë, meqë këtu i kanë gjetur kushtet që nuk i kanë hasur në asnjë qytet tjetër.
“Qëllimi është që të ngritet niveli i ping pongut në arenën kosovare dhe atë ndërkombtare, jemi duke përdorur të gjitha teknikat dhe është duke shkuar shumë mirë. Nxënësit janë shumë të mirë i kemi kadetët dhe juniorët. Janë nga qytete të ndryshme, kemi vendosur këtu ta mbajmë pasi kushtet momentale këtu janë më të mira, kjo sallë është shumë e përshtatshme, i kanë tavolinat dhe të gjitha kushtet“,tha Shala.
Sekretari i FPPK-së, Fadil Luta, tha se përveç përgaditjes për turneun në Maltë, ku Kosova do të përfaqësohet me 4 juniorë dhe 4 Kadetë, ky kamp u ndihmon pingpongistëve që të fillojnë edhe sezonin vjeshtor.
“Bordi ka marrë vendim që me i marrë 20 lojtarë që janë në rang listë, kjo është si lloj përgatitje për kampin që do ta kemi, që është edhe si lloj turneu në Maltë, poashtu këto përgatitje na ndihmojnë shumë pasi nga java e ardhshme fillon edhe sezoni vjeshtor, dhe lojtarëve u ndihmon të jenë në performancë të mirë. Ping-pongu është duke pasur ngritje, ka shumë interesim, edhe pse në krahasim me evropën, ping-pongu tek ne është në nivel të ulët, por nëse vazhdojmë me këtë ritëm do të jemi në hapa të sigurt. “- tha Luta.
Pingpongistët Enes Domaniku nga Prishtina dhe Erion Reka nga Ferizaj, thonë se organizime të tilla sportive i mbajnë lojtarët aktiv dhe janë aktivitete të mirëserdhura .
“Është organizim shumë i mirë, është shumë kënaqësi, unë luaj që 6 vite, dhe më pëlqen shumë ky sport. Ping- Pongu lyp shumë strategji dhe është pak i vështirë, por unë nuk e kam problem“, tha Domaniku.
“Kampi është shumë i mirë, tani në tetor e kemi top 8-në dhe jemi duke u pregaditur, shpresoj që të renditem prap në top listë“,- tha Reka.
Kampi i dytë veror që po mbahet në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj, është organizuar nga FPPK , dhe do të zgjasë deri me 31 gusht.