Për PDK-në e
Ferizajt zgjedhjet jane alternativa e vetme për situatën aktuale politike.
Kryetari i këtij subjekti politik në Ferizaj njëherit anëtar kryesisë së PDK-së,
Agim Aliu tregoi se partia e tij tashme i ka të gjitha përgatitjet për t’i hyre
gares se radhes për pushtetin qendror. Sipas Aliut, qëndrimi aktual i PDK-së është
që në këto zgjedhje të garojë e vetme, por pa vendosur vijë të kuqe për
koalicione të mundshme.
“PDK është partia e cila në këto zgjedhje e gjen si partinë më të strukturuar dhe më të përgatitur se çdo parti tjetër. Ju e dini që ne sapo kemi përfunduar një proces zgjedhor të brendshëm dhe prandaj lirisht mund të themi se PDK-ja është më e përgatitur për këto zgjedhje deri sa subjektet e tjera janë në fazën e përfundimit të këtij procesi. Ajo që ne e kemi parë gjatë këtij procesi të zgjedhjeve tona është masovizimi i partisë demokratike ne mënyrë të veçantë i të rinjëve që e shohin perspektivën në PDK. Ndryshe, PDK -ja ka qëndrim se do të garojë e vetme , mundësia që të ketë një koalicion është një lloj përsëritje e vitit 2014, kryesisht me disa parti që kanë qenë më të afërta me PDK. Por sido që të jete, kjo nuk është pikë, pasi që gjërat kanë evoluar, kanë ndryshuar”, tha Aliu.
Ndërkaq për
kryetarin e AAK-së në Ferizaj Xhavit Zariqin, partitë që përjashtohen për koalicion
janë PDK e Vetëvendosje, ndërkaq, për ndryshim nga deklarimet e shefit të tij,
Zariqi e sheh mundësinë reale të koalicionit edhe me LDK.
“Aleanca deri më tani nuk e ka asnjë vijë të kuqe për dikë, por asnjë preferencë të jashtëzakonshme për dikë. Në mbledhjen e fundit të kryesisë kemi marrë vendim që në zgjedhje të shkohet vetëm, me mundësi bisedimesh pastaj sipas asaj që mund te rrjedhë në vazhdim. Normal që ka spekulime gjithandej, por si e mundshme është që të shkohet në koalicion me Nismën, PSD- në dhe AKR dhe siç e thashë, nuk përjashtojmë askë tjetër. Më e mundshme është që të shkojmë me LDK, e me e pamundëshmja është me PDK-në e Vetëvendosjen”, u shpreh Zariqi.
Të përgatitur
për zgjedhje u shprehën edhe drejtues të AKR-së. Sipas Amir Rexhepit, subjekti
i Behxhet Pacollit është i gatshëm për çdo bashkëpunim.
“Në mbledhjen e fundit që kmei mbajtur, presidenti Pacolli është përcaktuar shef i shtabit si dhe së shpejti do të formohen shtabet në nivel të degëve. Sigurisht që edhe AKR-ja do të jetë pjesë e koalicioneve, të shohim se si do të vendosë kryesia, ndërsa ofertat janë të shumta nga partitë politike”, tha Rexhepi.
E kur jemi
tek listat e kanidatëve për deputet të parlamentit, partit e këtushme politike
thone se kanë strukturë të përgatitur për përfaqësim dinjitoz.
“Ne do ti kemi më të mirët në kuadër të më të mirëve të degës së PDK-së, për të garuar në garën për kuvendin e Kosovës, për të na përfaqësuar denjësisht dhe që pastaj përmes përfaqësimit të këtyre të vazhdojmë suksesin e Ferizajt. Jo unë nuk do të kandidoj, sepse do ta kryej detyrën e kryetarit të komunës dhe kjo nuk do të ishte e moralshme nëse unë kandidohem”, tha Aliu.
“Normal që ambiciet janë shfaqur dhe janë shumë normale, por që ne ende nuk kemi marrë vendim se cilët mund të jenë kandidatët per deputet. Nuk e di akoma, por besoj që edhe unë do te kandidohem, pavarësisht që kjo akoma nuk është përfundimtare”, u shpreh Zariqi i AAK-së.
“Sigurisht që edhe dikush prej degës së AKR-së në Ferizaj do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për parlament, por këtu vendos këshilli drejtues”, tha Rexhepi i AKR-së.
Ndryshe
pothuasje të gjitha partitë politike në Ferizaj tashmë e kanë përfunduar
procesin zgjedhor brenda subjekteve të veta, ndërkaq të gjitha u shprehën se janë
në pritje të vendimit të presidentit të vendit për shpalljen e zgjedhjeve të
jashtëzakonshme.