Kanë mbetur edhe 721 vende të lira për regjistrim në shkollat e mesme të Ferizajt gjatë afatit të gushtit.
Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka paraparë që sivjet të ketë 82 paralele, ndërsa shkollat të cilat nuk do të hapin afat të dytë janë gjimnazi shkencor, shkolla e kompetencës, e mjekësisë dhe shkolla e muzikës.
“Sipas informacioneve që kemi, janë plotësuar në shkollën “Gjimnazi Kuvendi i Arbërit” në Qendrën e Kompetencës, tek shkolla e Mjekësisë, dhe shkolla e muzikës, ndërsa vende të lira kemi tek mbi 100 nxënës tek gjimnazi shoqëror. Vende të lira tek shkolla Pjetër Bogdani mbi 100 vende, tek shkolla Faik Konica, 157 vende të lira, si dhe vende të lira 326 në shkollën Zenel Hajdini”
Ngjashëm sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit, numri i nxënësve që aplikuan për tu regjistruar në gjimnaze është shumë më i lartë sesa i atyre që interesohen për të vijuar shkollat e mesme profesionale.” tha Sadije Hajdini, zyrtare e drejtorisë së arsimit
Në shkollën e mesme për teknologji dhe agrobiznes “Zenel Hajdini” gjatë afatit të parë janë pranuar vetëm 70 nxënës kurse kapaciteti i tërësishëm është mbi 300 nxënës. Drejtori Abdullah Imeri thotë se janë munduar që të senzibilizojnë shoqërinë për rëndësinë e shkollave profesionale
“Kemi pasur një interesim pothujase të njejtë me vitet e kaluara edhe pse jemi munduar që të kemi risi me drejtime profile, por ende është paragjykimi se në shkollat profesionale është vështirë me shku, kemi punuar shumë ne senzibilizim, por prapë ka mbetur gjendja e njejtë”,- tha drejtori Abdullah Imeri.
Gjendje pothuajse e njejtë është edhe në shkollën profesionale teknike “Pjetër Bogdani”, e cila në afatin e parë ka pranuar 156 nxënës, kurse për afatin e dytë kanë mbetur të lira edhe 108 vende të tjera. Për këtë gjendje, drejtori i kësaj shkolle fajin ua le organeve të arsimit, që sipas tij, kanë krijuar paralele të reja për çdo vit.
“Ferizaji si komunë ka një numër shumë të madh të paraleleve, siç është shkolla ekonomike ka paraparë 18 paralele, ashtu edhe dy gjimnazet janë 26 paralele, dhe kjo është e keqe, por po e mendoj se kjo nuk do të shkojë gjatë, dhe shkollës teknike kanë me iu kthy nxënësit”, tha drejtori Çalaj.
Ndërsa në Gjimnazin “Shaban Hashani”, kanë mbetur dhe 104 vende të lira, jo për mosinteresim ntë nxënësve por për shkak të mosplotësimit të kritereve. Drejtori i këtij gjimnazi thotë se nuk do të ketë mundësi që të krijojnë më paralele të reja sikurse ka ndodhur në vitet e kaluar, pasiqë sivjet nuk kanë hapësirë.
“Ne jemi në gjendje të rëndë për shkak të hapësirës shkollore, përndryshe kërkesat për regjistrim këtu janë të mëdha. Problem është se me kriteret e parapara në bazë të konkursit, kanë mbetur nxënësit me sukses të mire, por për shkak të testit të arritshmërisë, nuk ka arritë të grumbullojnë pikë të mjaftueshme dhe këtu kriteri i ka larguar nga gara”, – tha drejtori Osmani.
Derisa nxënësit vendas refuzojnë shkollat profesionale, këtë vit mësimet në shkollën profesionale “Zenel Hajdini”, do t’i ndjekë një nxënës nga Turqia.
“Kemi një shtetas të huaj që do të angazhohemi që t’ia mësojmë gjuhën, prindërit e tij janë drejtues në fabrikën “Tefik Canga”, ai është një shembull për ne”– ,tha Imeri
Numri i nxënësve që sivjet pritet të regjistrohen nëpër shkollat e mesme të Ferizajt përfarohet në 2184 nxënës.