I vendosur në një nga lokacionet thuajse më të mira të Ferizajt. kopshti për fëmijë “Dielli”, tani do tu sherbejë familjeve të kompleksit banesor “Euro Invest”, si dhe banorëve nga të gjitha vendbanimet tjera të kësaj zone. Me një ambient shumëngjyrësh për fëmijë, hapësirë të mjaftueshme, përkujdesje me një personel profesional, fëmijëve ju jepet mundësia që me kënaqësi të shkojnë dhe të qëndrojnë në këtë kopsht të bukur.
Drejtoresha Lendita Hasani, tha se në këtë kopsht është punuar sipas standardeve më të reja, ashtu edhe sa i përket metrave katror, të cilët kalojnë 700 metërshin. Ajo u zotua se stafi i saj do të tregojë angazhim maksimal për fëmijët që vijojnë këtë çerdhe.
“Kopshti “Dielli” ka filluar punën që katër vite, një herë ka filluar si kujdestari për fëmijë, më pas kemi marr një objekt tjetër, e kemi parë interesimin e prindërve, besimin e tyre dhe kemi vendos me marrur një hapësirë më të madhe me ua plotësu të gjitha kushtet me të gjitha standardet që fëmijët me qenë sa më rehat mos me pas problem, si për kudjes si për ushqim për gjithçka”, tha Hasani.
Në anën tjetër, prindërit u shprehën të befasur me ambientin e ri që është krijuar për fëmijët e tyre.
Shkendie Aliu, thotë se ajo i ka dy fëmijë në këtë kopsht, dhe përveç ambientit modern që është krijuar, më e kënaqur është me personelin edukues.
“Unë i kam dy vajza në këtë kopsht, objektin që e kemi pasur edhe aty kemi qenë shumë të kënaqur pasi edukatoret janë sjellur shumë mirë, por sot këtu u befasuam me mundësitë që do t’iu ofrohen fëmijëve tonë. Objekti i bukur, i rehatshëm, i këndshëm, i sigurt dhe këto janë ato që neve na rahatojnë, por mbi të gjitha janë edukatoret“,tha Aliu.
Këtë kopsht do të vijojnë 70 fëmijë, fytyrat e buzëqeshura e të cilëve do i japin kuptim të plotë emrit të kopshtit “Dielli”.