Propozim vendimi për planin e ri të transparencës së komunës
së Ferizajt, do të diskutohet në seancën e së premtes të Kuvendit Komunal të
kësaj komune. Me këtë plan të ri parashihet që të ndalet transmetimi i
seancave të Kuvendit për publikun. Këtë veprim të pushtetit, opozita e konsideron si përpjekje
për mbylljen e zërit të opozitës dhe mohim të qytetarëve për të qenë të
informuar për diskutimet që bëhen në kuvend.
Sipas shefit të grupit të PDK-së, kjo rregullore është në
rregull, përveçse duhet të futet edhe një pikë që seancat të jenë të hapura për
publikun, mediat e shkruara dhe elektronike dhe për subjektet politike.
“ Në udhëzimin administrativ, kërkohet që të plotësohet kushti i transparencës që mbledhjet e Kuvendit Komunal të transmetohen online në web faqen e Kuvendit të Komunës, që është një kusht të cilin e plotëson kjo rregullore. Drafti i planit të veprimit e parasheh që edhe seancat të jenë edhe në Youtube, që mendoj se është edhe një shkallë më e lartë e transparencës, për arsye se secili qytetar apo subjekt që është i interesuar të shoh në ta kaluarën ndonjë seancë mund t’i qaset kanalit në youtube, prandaj mendoj se është në harmoni me udhëzimin administrativ dhe është në rregull.Mendoj që mungon një pikë në këtë plan veprimi, por është draft dhe do të plotësoj ndryshimet e nevojshme, sa i përket seancave mendoj se duhet të futet dhe një pikë ku parashihet që seancat të jenë të hapura për publikun për mediat e shkruara dhe elektronike, prandaj mendoj se duhet seancat e kuvendit të jenë të hapura me këtë plan veprimi. Për transmetim është çështje e mediave, ju takon mediave nëse ata dojnë me transmetu, nëse çfarë do forme insistoni që me çdo kusht duhet edhe mediat lokale të jenë, atëherë mendoj se duhet të insistoni në ndryshimin e udhëzimit administrativ sepse rregulloret komunale nuk janë mbi udhëzimet. – u shpreh Arian Imeri, nga PDK
Shefi i grupit parlamentar te PDK-se nuk dha sqarime nëse udhëzimi i cekur e kufizon komunën që të kontraktojë mediat për transmetime direkte të seancave të Kuvendit.
Muharrem Svarqa, kryetar i degës së LDK-së dhe Dritëro Hyseni, këshilltar komunal nga Lëvizja Vetëvendosje, thonë se plani i veprimit siç është tani, më shumë është një dokument që mirret me përshkrimin e procedurave se sa me hapjen e komunës për transparencë. Sipas përfaqësuesve të opozitës, bazë e transparencës mbeten televizionet.
“Ky pushtet e ka plot gojën transparence. ndërkaq vepron të kundërtën. Mbyllja e komunës ndaj qasjes në dokumente publike, ndaj mediave, ndaj opinionit në përgjithësi tregon përpjekjet e pushtetit për të kontrolluar çdo pore të jetës dhe për të futur në funksion autoritaritetin si funksion autoritar edhe të kryetarit të komunës edhe qeverisjes komunale që mendoj që është tepër e dëmshëme për shëndetin e demokracisë. Ç’është e vërteta. ne kemi të bëjmë me të vetmën mundësi të hapjes së komunës edhe për oppzitën edhe për qytetarët ndoshta si refleksion që ka mundur të shfaqet zëri opozitar vetëm përmes transmetimit televiziv, do të thotë të seancave të drejtëpërdrejta, dhe në bazë të këtij propozimi do t’i mungojë opinionit qytetar, dhe mendoj se kjo konsiderohet një përpjekje e mbylljes ndaj zërit opozitar, pasi, për fat të keq opozita nuk e ka asnjë mundësi tjetër që të shfaqet në opinion përveç në seanca të Kuvendit të Komunës të cilat tradicionalisht janë transmetuar drejtpërdrejtë” – tha Muharrem Svarqa, kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj.
“Ne si Lëvizje Vetëvendosje edhe gjatë votimit për hedhjen në diskutim publik të draft rregullores për transparencë kemi votuar kundër, sepse kemi konsideruar që të gjitha ato pika janë të përfshira nëpërmjet ligjeve që janë në fuqi, duke përfshire edhe rregulloren për punë të Kuvendit Komunal. Ne mendojme se mos transmetimi direkt i senacave të Kuvendit është një tendencë e pushtetit për ta ndrydhur fjalën e lirë dhe për ta ndrydhur secilin anëtar të Kuvendit. Ne do të votojmë, kundër poashtu u bëjmë thirrje të gjithë asambleistëve që të votojne kundër kësaj rregulloreje, pasi ua pamundëson atyre fjalën e lirë. Ne mendojmë se televizoni duhet të mbetet si bazë e transparencës. Jo të gjithë qytetarët mund të qasen në youtube, prandaj ne konsiderojmë që gjithqysh seancat të transmetohen përmes televizioneve”, – tha Dritëro Hyseni, këshilltar komunal nga Lëvizja Vetëvendosje.
Komuna e Ferizajt nga viti 2012 e bën transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave të Kuvendit Komunal, ku qytetarët kanë mundësinë përmes televizioneve të shohin direkt punën e të zgjedhurve të tyre në legjislativ, ndërkaq plani i ri i cunguar për transparencë, ka hasur në kritika edhe të shoqërisë civile dhe mediave të Ferizajt.