Ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa, zyrtarisht sot ka vizituar Komunën e Ferizajt, për herë të parë qëkur u emërua si ministër në qeverinë Haradinaj.
Në një tryezë me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi që u mbajt në sallën e konferencave të hotelit Rubis, ministri diskutoi me përfaqësues të pushtetit dhe institucioneve lokale për procesin e legalizimit të armëve, sigurinë në trafik dhe çështje të tjera me interes publik.
“Po bëjmë përpjekje të shumëta që të avancojmë situatën e sigurisë , në këtë kuptim duhet kuptuar edhe fushatën për legalizimin e armëve. Por është e qartë se kërkohet një sensibilizim më i madh në raport me atë që është punuar deri me tani. Ngritja e sigurisë në institucionet shkollore vazhdon të mbetet një sfidë , angazhimi në parandalimin dhe identifikimin e hershëm të problemeve në shkolla do të pamundësojë zgjerimin e këtyre problemeve. Një bashkëpunim i sinqertë në mes policisë, prindërve dhe personelit arsimor është i një rëndësie tejet të veçantë. Në anën tjetër ballafaqohemi me dukurinë e ekstermizmit të dhunshëm dhe radiakalizimit. Ashtu si vendet tjera edhe Kosova ballafaqohet me kërcënime që nuk duhet neglizhuar në asnjë rast. Prioritet tjetër mbetet edhe ngritja e sigurisë në komunikacionin rrugor, përmirësimi i sigurisë në këtë pikë nuk varet vetëm nga Ministria e Punëve të Mbrendëshme, mirëpo rol të rëndësishëm luajn edhe akter të ndryshëm në nivel nacional dhe lokal ” tha ministri Mustafa.
Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili njëkohësisht kryen edhe detyrën e kryesuesit të Këshillit të Sigurisë në Bashkësi, tha se sfidë e veçantë për sigurinë lokale janë vrasjet që po ndodhin në komunë, grabitjet e armatosura dhe zjarret. Aliu tha se komuna është duke hartuar projekte që synojnë ngritjen e nivelit të sigurisë publike.
“Ferizaj për fat të keq muajve të fundit, është kthyer në vëmendjen e publikut kosovar për disa raste të rënda, vrasje, grabitje të armatosura, aksidente dhe zjarre. Të gjitha këto nuk janë dhe nuk konsiderohen vetëm statistikë për organet që unë drejtoj, porse një sfidë tejet e gjerë në trajtim dhe orientim të kapaciteteve tona vepruese. Planet e qeverisjes lokale kanë impakt direkt në rritjen e sigurisë publike, duke vendosur mbi një mori projektesh që kanë ndikim direkt në rritjen e sigurisë së qytetarëve. Fjala vjen, kemi shtuar vëmendjen sa i përket sigurisë në shkolla, duke minimizuar mundësitë e rreziqeve që mund të paraqiten për nxënësit dhe stafin punonjës në shkollat tona. Ose, vitin që shkoi, me bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Policisë e Kosovës, kemi vendosur laurat/vendrojet në rrugët që lidhin me zonat malore për dy qëllime, rritjen e kujdesit ndaj pyjeve si dhe rreziqeve që bart ky fenomen në përgjithësi. Në planin infrastrukturor janë bërë dhe po bëhen në vazhdimësi investimet e nevojshme në sinjalistikë, eliminimin e rrezikut direkt nga objektet e caktuara si dhe vendosjen e barrierave që pengojnë rrezikun për qytetarët” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.
Në këtë forum të veçantë të sigurisë që u mbajt në Ferizaj dhe për Ferizaj, udhëheqës të Divizionit për Armë dhe Eksploziv bënë të ditur se afati i legalizimit të armëve përfundon më 17 qershor të këtij viti.