“Festo Shqip”, ishte motoja e të rinjve të Nismës Socialdemokrate në Ferizaj, të cilët me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuan një drekë dhe ekspozitë me ushqime e produkte të ndryshme vendore.
Socialdemokratët e Nismës, thanë se festimi më i mirë i përvjetorit të pavarësisë bëhet duke promovuar produktet që prodhohen në shtetin e ri të pavarur.
“Rinia e Nismës Socialdemokrate ka vendosur që për nder të përvjetorit të pavarësisë të organizojë një drekë të ashtuquajtur drekë e pavarësisë, ku kemi vendosur të kemi ushqim tradicional, pije e produkte vendore në përkrahje edhe të produkteve vendore dhe atyre tradicionale” tha Albion Salihu, kryetar i të rinjve socialdemokratë.
“Për organizimin e këtij aktiviteti kemi hasur mbështetjen e sponzorëve të ndryshëm të vendit, si “Miros”, “Relax”, furra e “Mikelit”,e shumë të tjera që synim kryesor e kemi pasur qasjen e produkteve vendore të tregojmë se nuk kemi nevojë për produkte të huaja por mundemi me i’a dalë vetëm me produkte tona” tha Agnesa Hajredini, nënkryetare e të rinjve.
Por, të rinjtë e këtij subjekti politik nuk kishin qëllim vetëm promovimin e produkteve vendore, por të atraksionit turistik në periferi të qytetit.
“Arsyeja pse e kemi zgjedhur Bifurkacionin sot që me festu Pavarsinë është se historia e bifurkacionit është lumi i dytë në botë që ndahet në dy pjesë dhe nuk bashkohet, kështuqë, pse mos me promovu këtë turizëm që e kemi” tha Kushtrim Hasani.
Në “Drekën e Pavarësisë” të organizuar nga Nisma e Ferizajt, morën pjesë edhe një grup valltaresh e defatoresh të grupit të ansamblit “Kastriotët”, për ta përcjellur këtë ngjarje me këngë të selektuara popullore dhe për të promovuar veshjet tradicionale të trojeve tona.