Po ngjitet shkallëve të ordinancës, për të ardhur në vizitë të rregullt tek stomatologu. Por, 18 vjeçaren Eloida Alija nga Ferizaj, e cila është e prekur me sindromën down, aty po e pret një befasi. Në ordinancën “Briliant Dent”, Eloidën e befasuan familjarët dhe miqtë e saj, të cilët ishin mbledhur aty, porse akoma nuk dihej arsyeja. Befasia më e madhe për Elën ndodhi kur pronari i ordinancës, stomatologu Burim Buzhala, i solli asaj një mantel të bardhë së bashku me një letër. Kjo letër me siguri se kësaj zonjushe do t’ia ndryshojë jetën përgjithmonë. Ishte kjo kontrata e punës për Eloidën, e cila tashmë nuk po mund të përmbahej nga gëzimi. Pasi nënshkroi dokumentin juridik të punësimit, Ela mantel- bardhë, i përshkruan ndjenjat me rastin e punësimit të saj të papritur:
“Kam emocione, nuk e kam ditur për këtë befasi, jamë shumë e lumtur, gjithmonë kam pas dëshirë të jem mjeke” – thotë 18 vjeçarja nga Ferizaj.
Sot ishte një ditë gëzimi edhe për Indirën, nënën e Eloidës, e cila plot me emocione e përshkruan këtë iniciativë të stomatologut Buzhala, duke treguar se këtë befasi e kishte mbajtur në fshehtësi, dhe se Ela nuk e ka ditur se sot do të ishte dita e parë e punësimit të saj si infermiere:
“Hera e parë erdhëm për një kontroll dhe doktori filloi ta pëlqej Eloidën, dhe një ditë më thirri në telefon dhe më tha që po dua ta punësoj Eloidën. Ai moment ka qenë gëzim i veçantë për familjen tonë. Është moment që nuk e kemi përjetuar asnjëherë. Ajo është shumë e lumtur nuk e ka ditur deri sot, ka shumë emocione por po shihet se ia ka dalë” – tha Indira Alija, nëna e Eloidës.
Alija, shprehet me kritikë ndaj institucioneve, pasiqë sipas saj, kjo kategori ka mbetur e papërfaqësuar në sistemin publik të punësimit, mirëpo shpresë e madhe për ta mbeten personat e guximshëm dhe njerëzit e mirë sikurse doktor Buzhala:
“Jeta është shumë sfiduese për personat me nevoja të vecanta, por më e keqja është se nuk kemi asnjë përkrahje nga shteti, jeta është shumë sfiduese, por ne po mundohemi me i tejkalu të gjitha, përderisa ka persona të mirë si doktor Burimi. Ky le të jetë një mesazh për të tjerët, që kështu veprohet me personat me nevoja të veçanta, që duhet t’i ndihmojnë, e jo ti injorojnë. Kjo është ndjenja më e mirë, as që e kam menduar se Ela do të punësohet, por ja që nga një njeri i mirë mu ofrua kjo mundësi” shtoi e ëma e Elës.
Nëna e vajzës me sindromën Down, thotë se personat e kësaj kategorie janë të aftë për punë dhe se ata mund t’ia dalin në jetë:
“Nuk është turp të keshë në familje një person me nevoja të veçanta, është tmerr nga shteti që nuk na përkrahin asnjëherë, pse jo me qenë kjo kategori edhe në poste publike sepse dijnë si t’ia dalin dhe munden, por ndoshta në ditët në vijim do të reflektojnë. Kjo ngjarje sot është një mesazh i mirë për të gjithë, dhe ky mesazh le të mirret nga doktor Burimi i cili nuk e ka bërë për emër por me zemër” tha Alija.
Pronari i ordinancës “Briliant Dent”, Burim Buzhala, me pak fjalë u shpreh se është privilegj që do të ketë Eloidën në staf:
‘ Ndjehemi shumë të privilegjuar që e kemi Elën pjesë të stafit tonë, kjo është një punëtore shumë e zellshme dhe me buzëqeshjen e saj vetëm dashuri do t’u sjellë pacientëve, kështu që do ta kemi nderin ta kemi asistente” – u deklarua stomatologu zemërgjerë Burim Buzhala.
Eloida do të punojë çdo ditë nga dy orë në ditë, kurse kontrata e punës të cilën ajo e nënshkroi me ordinancën “Briliant Dent” është e përhershme dhe në pajtim me Ligjin e Punës në fuqi.
Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.
Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.
Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.
Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.
Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.
Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.
Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.