Më 18 janar të këtij viti, Drejtoria e Arsimit në Ferizaj, ka pranuar në punë një mësidhënëse për art figurativ në shkollën fillore “Gjon Serreçi “, për të cilën gjë pat ankesa nga kundërkandidatët.
Laura Brahimi, e cila ishte kandidate për këtë pozitë, thotë se i është bërë e padrejtë në këtë konkurs, pasiqë sipas saj, për dhënien e lëndës edukatë figurative, kjo drejtori i ka dhënë përparësi kandidates me dizajn grafik, gjë që nuk lejohet me udhëzimet e MASHT-it.
“Jo me dëshirë kisha dashur me konfirmu se po kërkojmë drejtësi në një oqean. Problemi është se Drejtoria e Arsimit, ka marrë një vendim jolegjitim. Ka të bëjë me mësimdhënie për sh.f .“Gjon Serreçi” dhe sh.f. “Ahmet Hoxha”. Por tani po flas konkretisht për “Gjon Serreç”. Nëse në një konkurs kërkohet një kuadër profesional sipas udhëzimit të normativit të MASHT-it, atëherë ata kanë bërë shkelje ligjore, sepse nuk i kanë pranuar kandidatët sipas rregullores që ata kanë kërkuar. Bëhet fjalë për art figurativ, sipas udhëzimit të MASHT-it, shkruhet shumë qartë se personi që është i kualifikuar dhe që ka përparsinë është një person që është profesionist i pikturës, më pas vjen skulptura dhe grafika, kurse dizajni grafik nuk ka qasje për mësimdhënie”
Brahimi, e cila thotë se e ka të kryer masterin në degën e pikturës, shprehet se ka bërë ankesa në Komunën e Ferizajt për këtë konkurs, porse asnjëherë nuk ka marrë ndonjë përgjigjje.
“Unë jam piktore, kam diplomë, masterin që katër vite, dhe nëse hyjmë më gjerësisht, asnjë kualifikim, asnjë aktivitet që unë i plotësoj kushtet me qenë adekuate ata nuk i kanë marrë parasysh. Unë kam bërë ankesa, jam nisur nga rasti i kontesteve që është në Komunë, aty asnjëherë nuk kthehen përgjigje, më pas kam vazhduar me inspektorin e punës. Nëse prapë ndodhin të njejtat, me ose pa dashje duhet me vazhdu edhe me gjykatë. Mos heshtin se nuk është koha me hesht, është koha që duhet me i përkrah secili përgjegjësitë e veta, nuk duhet me pasë frikë nga liria” deklaroi piktorja Brahimi.
Gjatë javës, në disa raste Televizioni Tema ka
tentuar të merr një prononcim nga Drejtori i Arsimit në Ferizaj,
Afrim LLabjani, por meqenëse ishte në pushim vjetor, ai pranoi të
pronocohet vetëm përmes telefonit, duke
thënë se sipas udhëzimit të MASHT-it, përveç pikturës, skulpturës dhe
grafikës, për të dhënë mësim në lëndën e edukatës figurative, janë
kompetentë edhe të diplomuarit e dizajnit grafik.