Në 20 vjetorin e rënies në
altarin e Lirisë, qytetarë të shumtë dhe institucione të Ferizajt përkujtuan dëshmorët Ahmet Kaçiku dhe
Vezir Jashari.
Në nderim të jetës dhe veprës së tyre, udhëheqës të
institucioneve komunale, të shoqatave të dala nga
lufta, familjarë dhe bashkëluftëtarë bënë homazhe tek
varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës në Ferizaj, në vendin ku edhe prehen këta
dy dëshmorë, të rënë heroikisht në Reçak të Shtimes
në betejë me forcat serbe.
E bija e heroit Ahmet
Kaçiku, Festina Kaçiku, u shpreh se në këtë përvjetor të
rënies së babait të saj, ndjehet edhe më krenare, duke ditur se shteti
ynë tani ka edhe ushtrinë e vet.
“Është një ndjenjë shumë e mirë përkundër mërzisë
dhe mungesës së tij më vie mirë që kanë ardhur
shumë qytetarë të na nderojnë, ndërsa ndryshe nga
vitet e tjera tani kemi edhe ushtrinë që është
formuar tani dhe është një ndjenjë edhe më e mirë.
Me këtë, një amanet është plotësuar shpresoj edhe
amanetet e tjera të plotësohen dalëngadalë”, u shpreh bija e Heroit Ahmet Kaçiku.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në
Ferizaj, Gafurr Bytyqi tha se këta dy dëshmorë ishin
ushtarë dhe trima të pashembullt të historisë më të
re të kombit shqiptar.
“Këta dy dëshmorë që ne sot po bëjm homazhe janë
të vlerave të veçanta dhe madhore për kombin tonë.
Falë trimërisë e guximit të Ahmetit dhe Vezirit dhe të
tjerëve që ranë për mbrojten e kufomave të
masakrës nga forcat serbe, u zbardh e vërteta në
botë dhe ndodhi mrekullia ku aleat të UÇK-së u bënë
Amerika dhe miqtë e saj dhe pasojë e kësaj sot jemi të
lirë”,tha Bytyqi.
Për figurën dhe heroizmin e dëshmorëve Ahmet
Kaçiku dhe Vezir Jashari foli edhe gjenerali Imri Ilazi.
“19 janari është një ditë shumë e rëndësishme pasi
lidhet me dy figura mjaft embelmatike të UÇK-së, siç
ka qenë Veziri prej orëve të para dhe Ahmet Kaçiku
komandant i brigadës që ka qenë i angazhuar që në
fillet e 98-së. Por mbi të gjitha roli i komandantit të
brigadës është i jashtëzakonshëm, dhe Ahmet Kaçiku
gjithmonë ka qenë i pregaditur për një akt final.
Por
mbi të gjitha ai gjithmonë ka dashur të del
faqebardhë dhe këtë gjithmonë e ka potencuar se
liria pa sakrificë nuk vie. Për këtë mund të them se roli
i UÇK-së ka dalluar pasi një komandant në rregulla
ushtarake nuk duhet të bie në vijë të frontit, por
megjithatë dallimi i UÇK-së është këtu, sepse
gjithmonë udhëheqësit është dashur të prijnë dhe të
sakrifikohen që të tjerët ta vazhdojnë luftën”,tha Ilazi.
Të veshur me uniformën ushtarake, bashkëluftëtarët
raportuan pranë varrit të ish- komandatit Heroit Ahmet
Kaçiku, duke u shprehur se pikëpamjet e tyre asnjëherë
nuk kanë ndryshuar.
“Ne të gjithë si luftëtar kemi ardhur të bëjmë një
raportim para komandantit se edhe pas 20 viteve jemi
me të njejtën ndjenjë dhe të njejtin motiv dhe
asnjëherë nuk jemi përkulur pavarsisht situatave të
vështira që 20 vite. Lavdia e tij dhe të gjithë
dëshmorve të UÇK-së ka fjetur në shpirtin tonë dhe
në asnjë çast ne nuk e kemi ndërruar mendjen. Unë
sot po i raportoj komandanit të brigadës se të gjithë
luftëtarët e kompanisë së parë të krahut të djathtë
të fshatit Mollopolc kemi qëndruar stoik në porositë e
komandantit pas rëniës së tij”, tha Afrim Mehmeti,
bashkëluftëtar.
Gjatë ditës së sotme,
përveç homazheve që u bënë në Kompleksin e
Varrezave të Dëshmorëve në Ferizaj, me inciativë të
bashkëlufëtarëve është organizuar edhe një marsh i rastit, për të përkujtuar sakrificën dhe
heroizimin e dëshmorëve të rënë 20 vite më parë në
betejat e Reçakut, Mollopolcit dhe Rancës.