Sot janë bërë 20 vite që kur ndodhi masakra e Reçakut, në të cilën forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njerin ndër krimet më të tmerrshëm në vend, në të cilin u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Në kujtim të kësaj masakre, nën patronatin e Presidentit të Kosovës, në Shtime u mbajt një orë përkujtimore në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve qëndrore, lokale, familjarë e qytetarë të shumtë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, fjalimin e tij e nisi duke e përmendur taksën të cilën Qeveria e ka vendosur ndaj Serbisë, ndërsa theksoi se askush nuk guxon të falë tokë të Kosovës për Serbinë.
“Ne kemi vendos taksë mallrave të Serbisë, pra kësaj Serbie e cila ka bërë masakra dhe të asaj që ende po ka ide se qysh me na ndalë. Serbia po do me u bë anëtare e BE-së dhe i ka edhe një tri vite dhe atëherë është mirë ne mos me u pajtu mos me pranu njohjen reciproke pasi nuk jemi ne pa diçka me thanë, ne nuk kemi thanë nuk shkojmë në dialog pa u kthy trupat e pa jetë, unë kam shku në 2004 në Merdare kam marr trupa pa jetë në një tendë dhe kurrë askush Kosovës nuk ja ka dhënë një certifikat se si kanë vdekur ata njerëz, pra për këtë ka qenë dashtë me u ngritë një gjykatë speciale. Kurse ka ndodhur e kundërta, deri kur po dojnë miqtë tanë me la vetën duke i rëndu shqiptarët.Nuk shkon kështu, vraju e preju ne luftë, torturohu edhe më tutje, dhe në fund hajde dhe jepja edhe një copë tokë Serbisë, po le të ja jep dikush, kush guxon me ja dhanë dhe le ta sheh se si ka me i dalë”, deklaroi kryeministri Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh se Reçaku është synonim i cmimit të lirisë dhe pavarësisë, derisa në akademinë që u mbajt në Shtime përmendi edhe dialogun me Serbinë:
“Është koha të mendojmë mbi të gjitha për shtetin tonë, është koha për t’u dhënë fund lojërave mbrenda nesh dhe kundër vetvetës. Sot ne jemi para ballafaqimit përfundimtar diplomatik me Serbinë dhe sfida e këti ballafaqimi kërkon që të jemi të bashkuar dhe të mos i bëjmë favore Serbisë me grindjet e tona të mbrendshme. Ne hymë në dialog për ta finalizuar shtetndërtimin ndërkombëtar të Kosovës për ta marrë njohjen nga Serbia dhe anëtarsimin në OKB, nuk ka qëllime të tjera për ne dhe nuk e kemi ndërmend të gabojmë në asnjë hap. Ata që shohin agjenda të tjera në dialog janë duke gabuar shumë në analizë e veprim politik, nëse nuk përfshihen në proces, ta dinë se nesër do të jetë vonë, trimëria pas betejës nuk ka vlerë, ju ftoj përsëri që të bëhen pjesë e kësaj histore që po ndodhë me të cilën nesër do të krenohen pasardhësit tonë”, tha kryekuvendari Veseli.
Ndërsa nikoqiri i këti organizimi Naim Ismaili, tha se dhimbja për 45 banorët e masakruar do t’i përcjell gjithmonë.
“20 vite kujtime të rënda për humbjen e më të dashurve tanë, kjo dhembje e madhe për gjithë ne që na përcolli për këto 20 vite, do na përcjellë gjatë gjithë viteve tona, pasi është obligim për ne që t’i nderojmë dhe çmojmë vlerat dhe idealin për të cilën u flijuan”, tha Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli.
Ish komandanti i zonës operative të Nerodimes Shukri Buja, tha se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.
“Reçaku u bë pikë referimi e lëvizjes së diplomacisë ndërkombëtare, dhe vuri në lëvizje mekanizmin e madh ndërkombtar për të gjetur zgjidhje për Kosovën. Reçaku solli intervenimin e NATO-s dhe Reçaku ishte fakto kyç që solli lirinë e Kosovës, prandaj unë u bëj thirrje institucioneve të vendit që Reçakun ta trajtojmë me status të veçantë”,tha Buja.
Gjatë paraditës së sotme përfaqësues të institucioneve të ndryshme, atyre politike dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe tek kompleksi memorial në këtë fshat.