Klasët e shkollës fillore “Ramadan Rexhepi”, në fshatin Sojevë kanë marrë një pamje tjetër, falë angazhimit të prindërve, mësimdhënësve dhe drejtuesve të kësaj shkolle, të cilët gjatë kohës sa nxënësit ishin në pushim, renovuan shumicën e klasave.
“Unë i kam tre fëmijë këtu, dhe e kam ndje një përgjegjësi morale që të jap një kontribut për shkollë. Unë e kam bërë më shumë punën teknike me ato mundësi që i kemi, megjithatë gatishmëria e jonë është që ta ndihmojmë shkollën sa herë të është nevoja”,tha Shaqir Zeqiri.
“Është kënaqësi të punosh për shkollat, dhe u bashkangjitem çdoherë inciativave të tilla. Kam realizuar disa vizatime në mur që më është dukur se janë të dëshirueshme nga fëmijët”, tha Lulzim Asllani,mësues.
Nga të gjitha klasat më së shumti ka ndryshuar klasa e parashkollorëve, për të cilën ka investuar një prind, i cili e siguroi komplet invertarin e nevojshëm.
Edukatorja e kësaj klase thotë se tani kushtet janë shumë më të mira për parapërgatitjen e fatosave të ardhshëm .
“Falenderoj prindin Fidan Rexhepi, që e ka marrë inciativën për me i sjellë karriget, tavolinat, dyshemenë tabelën. Tani është bërë më bukur, dhe kur të vijnë fëmijët, besoj që do të befasohen dhe do të jenë shumë të kënaqur, por edhe për mua është shumë më lehtë me këto kushte”, tha Melihate Rexhepi, edukatore.
Krahas grevës e cila po mbahet në arsim, drejtoresha e këtij institucioni arsimor Arta Tahiri, thotë se pas grevës, gjysmëvjetori i dytë do të vazhdojë në një ambient më të mirë.
“Në shkollën tonë po funksionon trekëndëshi prind, mësimdhënës dhe institucione. Ka pasur nevojë për disa renovime, dhe kemi bashkëpunuar me prindërit, kemi ndërruar disa klasa. Kemi bërë ngjyrosjen, kemi ndryshuar bankat, karriget, dyshemenë dhe krejt në fund e kemi rreguluar klasën e parashkollorëve ku është sjellur një invertar i kompletuar. Pavarsisht se filloi greva, ne mezi kemi pritur që kur të vijnë nxënësit e parafillorëve të vijnë në një ambient të ri”, tha drejtoresha Tahiri.
Banorët e Sojevës tradicionalisht investojnë në shkollën ku mësojnë 300 fëmijë të tyre. Vlen të theksohet se para dy vitesh, Sojevasit kishin pajisur shkollën e tyre edhe me një karrige stomatologjike.