Mësimdhënësit e shkollës së mesme profesionale “Zenel Hajdini”, sot ishin në shkollë, por jo edhe në orë mësimore. Ngjashëm ishte edhe në të gjitha shkollat e tjera fillore dhe te mesme të Ferizajt.
Ata po zbatonin grevën e paralajmruar të SBASHK-ut, se pa u plotësuar kërkesat e tyre, sic është rishikimi i projektligjit për paga, nuk do të ketë fillim të procesit mësimor.
Kryetari i SBASHK-ut në Ferizaj Rexhep Sadiku, tha se greva e mësimdhënësve në Ferizaj është mbajtur në përpikëri. Sadiku tha se shpreson se autoritetet do të reflektojnë karshi vendosmërisë së tyre, dhe se do ta nxjerrin arsimin vendor, siç u shpreh ai, nga kjo vdekje klinike.
“Sipas të gjitha burimeve tona, duke filluar nga cerdhet e deri tek shkollat e mesme greva është duke u zhvilluar sipas një dinamike normale, pra është grevë e qind për qind. Shpresojmë se autoritet përgjegjëse duke parë këtë vendosmëri do të bëjnë një transformim të tyre dhe do të marrin punët me seriozitet dhe do t’i qasen kësaj problematike me qëllim që të dalim nga kjo problematikë”, tha Sadiku, kryetar i SBASHK-ut në Ferizaj
Mësimdhënësit grevistë shprehen se nuk po kërkojnë një koeficient sikurse të kryeministrit por një barazim me sektorët e tjerë. Sipas tyre, ata janë renditur në kategorinë e fundit të sektorit publik dhe kjo duhet të ndryshohet.
Janë të arsyeshme kërkesat tona sepse planifikimi që është bërë konkretisht koeficienti që është bërë ne sferat e tjera krahasuar me ato që është planifikuar për ne, i bie që neve na kanë lënë mbrama, koeficienti ynë është më i ulëti se të tjerët, dhe duke u nisur nga kjo SBASHK-u ka shpallur grevë, në shpresojmë se nuk do të zgjasë greva shumë dhe ministria të reflektojë. Ne nuk kemi dëshirë të humbim kohë”, tha Ismet Aliu, mësimdhënës.
“Ne jemi me një koeficient prej 2.0, jemi kategoria e parafundit si arsimtarë kurse dihet roli ynë që është për edukimin e brezave, prandaj ne kërkojmë që ky koeficient të jetë së paku 3,0. Na vie keq për nxënësit që sot ka qenë dashtë të jenë nëpër bankat e tyre, por kjo është shkaku i neglizhencës së ministrisë. Këto kërkesa janë minimale sepse duke parë sektorët e tjerë, kualifikimi i jonë nuk është duke u paguar, ne dëshirojmë që mësimdhënësi të ketë një pagë të dinjitetshme”, tha Hazir Syla, mësimdhënës.
Përndryshe, greva e nisur sot e mësimdhënësve është mbajtur nga ora 9 deri në orën 12, ndërsa sipas paralajmërimeve të grevistëve, ajo mund të zgjasë edhe me muaj të tërë.