Në prag të festës së Vitit të Ri, kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, ka vizituar shoqatën e personave me sindromën Down në këtë qytet, ku ka shpërndarë dhurata për fëmijët e kësaj shoqate.
Gjatë kohës sa qëndroi atje, Aliu u zotua se në vitin 2019 nuk do të mungoj përkrahja e institucioneve lokale për këtë shoqatë.
“Ne jemi munduar ta mbështesim shoqatën në aktivitetet e tyre, sigurisht se qysh sot i zotohemi shoqatës, por edhe familjarëve dhe fëmijëve se ne edhe në vitin 2019 do t’i mbështesim edhe më fuqishëm, sepse e ndjejmë nevojën që të mbështesim më shumë pikërisht këta fëmijë. Ne do të jemi në detyrën tonë që të ketë sa më shumë mirëqenie dhe sa më shumë përkujdesje e mbështetje për këta fëmijë dhe familjarët e tyre”, tha Aliu.
Ndërsa, menaxherja e Shoqatës ”Down Syndrome Kosova” në Ferizaj, Yllka Mani, tha se presin mbështetje më të madhe nga komuna në vitin që po hyjmë.
“Me hapësirën e re, objektin e ri shërbimet në shoqatën tonë janë rritur. Është rritur numri i shërbimeve terapeutike me fizioterapi, gjuhë dhe komunikim, është hapur kafiteria X21 e cila u ka mundësuar të rriturve të trajnohen dhe të punësohen dhe gjithashtu është rritur numri i vullnetarëve, praktikantëve dhe anëtarëve të shoqatës sonë. Ne kemi pasur një mbështetje nga komuna gjatë vitit 2018, të cilët kanë pranuar, kanë aprovuar projektin tonë, projekt i cili mbështet shërbimet brenda shoqatës sonë, shpresoj që edhe në vitin 2019 të kemi një mbështetje edhe më të madhe nga kryetari i komunës”, tha Yllka Mani.
Sipas të dhënave të kësaj shoqate, në komunën e Ferizajt janë mbi 90 persona me sindromën Down, ndërkaq në këtë qendër marrin shërbime rreth 30 fëmijë.