Drejtori Infrastrukturës në Ferizaj, Arbër Bytyqi, këtë të shtunë ka paraqitur punën një vjeçare të drejtorisë që udhëheq. Sipas tij, gjatë vitit 2018 janë bërë shumë investime, por projekti më madhor është ai i “Bashkimit të Qytetit” që ka vlerën mbi 4 milionë euro, i cili projekt, sipas Bytyqit do të finalizohet në fund të vitit 2019.
“Vitin e kemi filluar me projektin “Bashkimi i Qytetit” ku fillimisht kemi ndjekur hapat e konkursit publik, pastaj fazën e projektimit detal, kemi nënshkruar kontratën në vlerë 4,030,000 euro si dhe tashmë kemi filluar punimet në terren, ku jemi duke vazhduar punimet në bazë të planit dinamik të paraparë në kontratën e nënshkruar me operatorin ekonomik. Shpresojmë që gjithçka të shkoj mirë sikurse deri më tani dhe ne të kemi funksional këtë projekt madhështor për qytetin e Ferizajt deri në fund të vitit të ardhshëm. Në kuadër të projektit “Bashkimi i Qytetit” po ashtu vazhduam edhe me projektin e ndërtimit të tri nënkalimeve për vetura, gjegjësisht nënkalimin për vetura në fshatin Varosh-Nikadin dhe afër ”Plus Market”, projekt që do të lehtësoj lëvizjen e veturave dhe ngrisë sigurinë e lëvizjes për vetura dhe këmbësor, edhe për këtë projekt janë përcjellur fazat e konkursit publik, tashmë janë zgjedhur operatorët ekonomik dhe pritet që gjatë vitit të ardhshëm të vazhdohet me punime. Vlera në total e këtij projekti për këto nënkalime do të jetë rreth 2.2 milionë euro”, u shpreh Bytyqi.
Bytyqi përmendi edhe projektin e rrugës Varosh-Gurëz, si dhe asfaltimin e rrugicave që janë bërë gjatë këtij viti që po lëmë pas.
“Përmes këtij projekti po zgjerohet njëra nga arteriet kryesore të hyrje-daljeve të qytetit të Ferizajt, projekt që do të ketë rrugë me katër korsi dy nga ato ndihmesë, shtigjet e biçikletave, këmbësorëve dhe hapësirën gjelbëruese, projekt që ka vlerën 2.6 milionë euro. Gjithashtu nuk e kemi lënë anash infrastrukturën dytësore në zonën e qytetit ku kemi asfaltuar një numër të madh të rrugicave në zonën urbane që do të ndikoj direkt në jetën e qytetarëve, kemi asfaltuar mbi 30 rrugica në gjatësi mbi 8 km vlerë financiare 400.000 euro, gjithashtu kemi shtruar mbi 3 km trotuare dhe 6 km kanalizim fekal dhe atmosferik të gjitha këto në zonën urbane”, theksoi Bytyqi.
Bytyqi gjatë raportimit të punës një vjeçare, tha se kjo drejtori ka pasur në dispozicion vetëm 5 milionë e 600 mijë euro, ku shumica e këtij buxheti është shpenzuar për pagesa të borxheve të trashëguara, kurse për vitin 2019 synim tha se kanë zgjerimin e rrugës nga Ferizaj deri tek kyçja në autostradën ”Arbën Xhaferi” në fshatin Bibaj. Ai bëri të ditur se në vitin që po vjen do të asfaltojnë edhe 80 rrugica në zonën urbane dhe në fshatra.