Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj, ka akuzuar qeverinë lokale të udhëhequr nga Agim Aliu për keqqeverisje gjatë këtij viti që po lëmë pas. Ish-kryetari i kësaj komune, aktualisht kryetar i LDK-së Muharrem Svarqa, Aliun e quajti kryetar pa program qeverisës, i cili, sipas tij, me krejt çka mund të mburret është promovimi nëpër fotografi.
“Në emër të kodit të ndërtimit të nënkalimit për vetura me numër 15771, ku janë ndarë 3 milionë e 5 mijë euro, kryetari Aliu kokë më vete me vendime ad hoc, ashtu siç është karakterizuar këtë vit, ka marrë vendim për lidhjen e kontratës për ndërtimin e nënkalimit që ai e quan “Bashkim të Qytetit”, një kontratë për shumën 4 milionë e 3 miijë euro edhe pse këto mjete kanë qenë të planifikuara deri në vitin 2021. Ne këtë projekt e konsiderojmë skandaloz, jo vetëm se është realizuar pa ndonjë paralajmërim, pa analiza paraprake të studimit të fizibiliteti, studimit gjeomekanik të tokës, por edhe pa projekt detal. Një kryetar dembel i cili nuk mund të krenohet me rezultate për këtë vit, me përjashtim që mund të krenohet për lloje të ndryshme të propagandës dhe të sfilatave me fotografi të shtrenjta të cilat i paguajmë të gjithë ne”, tha Svarqa.
Svarqa ka theksuar se viti qeverisës 2018 karakterizohet me vendime të paligjshme, me hakmarrje ndaj kundërshtarëve politik, si dhe me shpërblime për mbështetësit e tij.
“Një qeveri pa program pune, ka qenë edhe përpjekja për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politik duke filluar nga komuna, nga stafi i përgjithshëm administrativ, QKMF-të dhe në kompanitë publike dhe këto kanë sjellur një gjendje alarmante në këto kompani të cilat sot janë para falimentimit. Akuzat tjera që ka pas qeveria komunale pas marrjes së mandatit kanë qenë ankesat e vazhdueshme për numrin e madh të të punësuarve me kontrata të veçanta të cilat janë ndërprerë me vendim të tij për t’u zëvendësuar me dhjetëfishin e atyre që kanë ekzistuar. Ankesa të tjera kanë qenë edhe me projektet që kanë qenë 2-3 vjeçare të cilat janë trajtuar borxhe nga qeveria edhe pse s’kanë mundur të argumentohen. Një skandal tjetër është se ne kemi lënë kontrata 3-4 vjeçare, ndërsa këta këtë vit kanë lidhur kontrata pa qenë të planifikuara në buxhetin e qeverisë dhe atë kontrata 6 vjeçare”, tha Svarqa.
Në konferencën e thirrur për media, ndër të tjera LDK përmendi edhe vendimet e ministrive përkatëse, të rekomanduara për anulim në Kuvendin e Komunës, të cilat, sipas kësaj partie, jo vetëm që nuk anulohen, por mbivotohen dhe festohen me duartrokitje dhe kjo tregon se sa është i interesuar koalicioni qeverisës dhe kryetari Aliu për zbatimin e ligjit.