“Kësulëkuqja”, është shfaqja e cila është shfaqur sot në teatrin “Adriana” në Ferizaj, nga nxënësit e shkollës fillore “Besim Rexhepi” të fshatit Komogllavë, me regji të Ali Krasniqit.
Drejtoresha e shkollës “Besim Rexhepi”, Dajete Qazimi, tha se përmes kësaj shfaqje kanë dashur që nxënësit ta përjetojnë ndjenjën e të qenit aktorë.
“Dua të falënderoj komunitetin komogllavas dhe prindërit që ua mundësuan këtyre nxënësve të vegjël ta përjetojnë magjinë e skenës dhe ta ndjejnë vetën aktorë. Këtë ide e kemi shtjelluar me regjisorin dhe më pas e kemi bërë projektin dhe po besoj se ka dalë mirë”, tha Qazimi.
Kurse, regjisori i kësaj shfaqje Ali Krasniqi, tha se ishte kënaqësi të punoj me këta fëmijë.
“Është një bashkëpunim mes meje si regjisor i shfaqjes dhe shkollës “Besim Rexhepi”, unë i falënderoj që patën besim tek unë edhe këta nxënës të cilët kanë me qenë aktorë të ardhshëm, bëhet fjalë për shfaqjen “Kësulëkuqja” e vëllezërve Grim, e kam adaptuar brenda kësaj hapësire me skenografi të Skënder Bedriut, me ndihmën e Hajrullah Elezit dhe gjithë të tjerëve, jam kënaqur me këta fëmijë dhe për mua ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme”, tha Krasniqi.
Fëmijët që ishin pjesë e kësaj shfaqje u shprehën të lumtur për rolet që patën.
“Rolin e kam pasur të ujkut, dhe më ka pëlqy shumë shfaqja”, tha Erdi Osmani, nxënës.
“Kam pasur rolin e lepurit, shfaqja më ka pëlqy shumë dhe nuk e kam menduar se ka me dalë kaq mirë“, tha nxënësi Alt Metushi.
“Unë e kam pasur rolin e kësulëkuqes, më ka pëlqy shumë roli i kësulëkuqes, gjithmonë kam pasur dëshirë të aktroj dhe kjo m’u realizua”, tha Gresa Beqiri, nxënëse.
Shfaqja “Kësulëkuqja”, u pëlqye shumë nga publiku, që kryesisht ishin nxënës të shkollës ”Besim Rexhepi”.
“Më ka pëlqy shumë shfaqja, unë e di tërë hitorinë e kësulëkuqes, por sot më pëlqeu edhe më shumë”, tha Tara Abazi.
“Shumë më ka pëlqy kjo përrallë, ishte shumë mirë”, tha një fëmijë tjetër.
U bë e ditur se kjo shfaqje e nxënësve të shkollës fillore “Besim Rexhepi”, do të ngjitet edhe në skenat e teatrove të tjerë të Kosovës.