Organizata joqeveritare ”Iniciativa për Progres”, ka shënuar 13 vjetorin e themelimit të saj.
Drejtoresha ekzekutive e INPO-s, Albulena Nrecaj, tha se kjo organizatë përgjatë këtyre viteve ka kontribuar në procese të ndryshme të demokratizimit të shoqërisë.
“Organizata INPO tashmë po feston 13 vjetorin e themelimit dhe 13 vjet punë, angazhim dhe aktivizëm, ndoshta do të ishte e njëanshme me fol për INPO-n, por besoj se publiku dinë ta vlerësoj angazhimin dhe punën e INPO-s për një shoqëri të hapur dhe për demokratizim të qeverisjes. INPO që nga themelimi i saj nuk është ndalur asnjëherë duke kontribuar në proceset e ndryshme të demokratizimit të shoqërisë tonë, po ashtu edhe rritjen e transparencës dhe vendosjen e mekanizmave dhe standardeve për qeverisje të mirë’’, u shpreh Nrecaj.
Në këtë ceremoni të shënimit të 13 vjetorit të themelimit, INPO si rëndom ndau çmimin për “Nxitje Debati”. Ky çmim i cili u ndahet individëve ose grupeve që me punën e tyre nxitën debat në shoqërinë tonë, këtë vit iu nda gazetares së “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj.
Gjatë ndarjes së çmimit për gazetaren Ramaj, Albulena Nrecaj tha se me shkrimet e saja hulumtuese rreth keqpërdorimeve në shëndetësi, Ramaj ka nxitur debat të gjerë publik.
“Sivjet çmimi i takon gazetares së “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj, për sagën e shkrimeve rreth listës esenciale të barnave, në kuptimin e shpërfaqjes së manipulimeve, keqmenaxhimeve dhe keqpërdorimeve financiare të cilat janë bërë përmes tenderëve të prokurimit për listën esenciale të barnave, e cila ka nxitur një debat shumë të madh në shoqëri, po ashtu ka nxitur institucionet që të punojnë më tepër ose të angazhohen në adresimin e gjetjeve të cilat i ka bërë gazetarja gjatë hulumtimeve dhe tani është edhe publike që për shkak të angazhimit të Ramaj, qeveria ka arritur të kursej nga buxheti mbi 6 milionë euro të cilat më parë janë keqpërdorur përmes listës esenciale të barnave”, tha Nrecaj.
Ndërkaq, gazetarja Sarada Ramaj u shpreh e lumtur që po vlerësohet puna e saj, e cila kryesisht ka të bëj me gazetari hulumtuese.
“Është një vlerësim i jashtëzakonshëm që shoqëria civile nga Ferizaj më bën mua dhe punës sime në një vit shumë të rëndë edhe për gazetarinë edhe në aspektin e keqpërdorimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Unë jam shumë e lumtur për këtë çmim për arsye që vlerësohet një punë shumë e madhe dhe një punë plot sakrifica që e kemi bërë për me ruajt buxhetin e shtetit, ajo çka kemi zbuluar sivjet është një keqpërdorim 16 milionë euro dhe pas hulumtimit tonë, Qeveria e Kosovës ka arritur të kursej 6 milionë euro, që nënkupton hulumtimi i jonë ka pasur të bëj me keqpërdorimin me blerjen e barnave që nga çmimi real është blerë 2 mijë për qind më shtrenjtë sesa çmimi real dhe rezultati i punës sonë janë 6 milionë euro më shumë në spitalet publike dhe 6 milionë euro më pak për kompanitë farmaceutike, kështu që për shkak të natyrës së çmimit dhe që ka prekur secilin person ndihem shumë e privilegjuar për këtë vlerësim”, tha Ramaj.
Çmimin për “Nxitje Debati”, organizata INPO e ndau për herë të dhjetë me radhë.