Në prag të festave të fundvitit, ekzekutivi i Ferizajt ishtë kujdesur që anëtarët e legjislativit mos t’i rëndoj me pika të shumta të rendit të ditës në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, prandaj edhe sot në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa u shqyrtua shumë shpejt materiali i cili parashihet të dalë në seancën e 27 dhjetorit. Në mesin e propozim-vendimeve ishin miratimi i Startegjisë Komunale për Personat me Aftësi të Kufizuara, vendimi për Rregulloren për Taksa, Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale, propozimi për vënie në diskutim publik të draft planit të veprimit të Zyrës për Informim të Komunës, si dhe destinimi e këmbimi i disa ngastarve kadastrale. Pika që u arsyetua pak më gjatë ishte ajo për mbrojtjen e vlerës së natyrës ”Bifurkacioni i lumit Nerodime në Ferizaj si monument i natyrës”. Drejtori i Urbanzimit Lulzim Aliu, tha se për shkak të disa ndryshimeve në ligj për trajtimin e këtij fenomeni, komuna ka marrë një propozim nga Ministria e Mjedisit.
“Qëllimi kryesor është më siguru rrjedhën e lumit, ndarjen tek Bifurkacioni që mos me qenë i pengueshëm, do të thotë mos me u rreziku fenomeni si fenomen, jo gjatë sikur ka qenë e paraparë edhe lumi që kalon nëpër qytet, pasi që ashtu kështu është e pamundur, sepse pjesa që është këndej nga qyteti është kanalizim pothuajse. Pra ne do të obligohemi përmbi restorantin ”Ujëvara” me siguru atë rrjedhën e ujit si dhe të intervenojmë në disa pjesë të tjera. Po ashtu, Ministria na ka thënë se objektet që janë përrreth këtij fenomeni nuk do të prishen, por që ne do të obligohemi që ato objekte që janë afër me metra të legalizohen, për shkak të telasheve që mund të na dalin më vonë. Pra, për mbrojtjen e këtij fenomeni ne nuk do të kemi probleme, pasi që shumica e pronave janë shtetërore”, tha Aliu.
Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, anëtarët e Komitetit ia përkujtuan ekzekutivit se në vitin 2015 Kuvendi i këtushëm e pati miratuar një vendim për mbrojtjen e këtij fenomeni dhe kërkuan të dinë se si të veprojnë gjatë seancës në mënyrë ligjore, të marrin vendim të ri, apo ta rishqyrtojnë si vendim të mëparshëm.