”Katër korsi pa kurrfarë analize, unë po them se ky projekt është i gabuar, mjerët ju që nuk dini“, u shpreh biznesmeni Mustafë Bucaliu.
Në këtë formë u zhvillua debati në mes të qytetarëve të komunës së Ferizajt, zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe atyre të komunës. Derisa ky tubim publik ishte ftuar për t’u prezantuar projekti i rrethrrotullimit tek Ura e Madhe, përfaqësuesit e bizneseve andej i shprehën vërejtjet e tyre me goxha tension. Kritikat më të mëdha ishin ato për magjistralen e cila vjen nga Prishtina deri tek Ura, ku nga Prelezi e deri në Fshat të Vjetër do të bëhet me katër korsi dhe trotuare, por me ndërprerje të rralla nga rrethrrotullimet. Firma projektuese “Infra Plus”, përmes një video projektori pjesëmarrësve u shpjegoi detaje se si do të duket kjo pjesë e qytetit, ndërsa zyrtarë të Ministrisë treguan se ky investim i cili parashihet të ekzistojë në 30 vitet e ardhshme, do të realizohet me qëllimin kryesor për rritjen e qytetit të Ferizajt.
“Pse dikujt nuk i konvenon, jo gjithherë të gjithëve na bie mirë, por vendimi për të ardhmen e vendit është vendim që duhet të mbështetet dhe këtu Ministria e Infrastrukturës është e bindur që qytetit të Ferizajt do t’i dhuron një rrethrrotullim të shkëlqyeshëm, një urë që do të lidhë autostradën në mënyrë të përsosur dhe një rrugë të gjerë siç i ka hije komunës së Ferizajt në vitin 2050 e jo si ajo e shekullit të kaluar“, tha Qamil Feka nga Ministria e Infrastrukturës.
Derisa zyrtarët qeveritarë konsiderojnë se ky projekt është më i duhuri, bizneset që operojnë në atë pjesë këmbëngulin që shteti nuk po ndërton në favor të kësaj kategorie. Në emër të tyre më së shumti foli afaristi Mustafë Bucaliu.
“140 biznese që kushtojnë rreth 200 milionë euro. Ju jeni duke e shkatërruar qytetin edhe rrugën, ju jeni duke shkatërruar dhe jo duke punuar, pse të bëhet katër korsi, pse?. Ju i merrni lekët si projektues nga donatori dhe e shkatërroni biznesin, e ne paguajmë tatim afër 5-6 milionë vetëm ajo rrrugë. Rruga aktualisht është loçkë, mundeni me rrit dy deri në tri metra, as nuk ka shpronësim, nuk ka pengesa për kalime, kështu që po u them ju jeni duke luajtur kulla e prishtë”, u shpreh Bucaliu.
“Ishte kërkesa që mos të bëhet rrugë katër korsi, por të mbetet kështu si është me dy korsi e që në fakt të lëvizet nga njëra anë në tjetrën, por ajo nuk është në funksion të zhvillimit të qytetit, nuk është në funksion të një Ferizaj të ardhshëm, është në funksion vetëm në mendjen e këtyre bizneseve, por jo zhvillimit në tërësi”, tha Feka.
Në këtë diskutim publik , pati edhe të tjerë ankues, që shqetësimet kryesore i shprehën kryesisht për këtë rrugë me katër korsi, por edhe me zgjidhjen e problemit të rrethrrotullimit afër “Hib Petrolit” në përfundim të rrugës ”Vëllezërit Gërvalla”, me zëvendësimin e një semafori, për shkak të shumë aksidenteve që kanë ndodhur në atë vend. Sido që të jetë, zyrtarët e Ministrisë paralajmëruan se ky projekt i finacuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të nis punët në pranverë të vitit që po vjen, ndërsa punimet pritet të zgjasin dy vjet.