Derisa pothuajse të gjitha furrat dhe marketet e kanë rritur çmimin e bukës për 10 cent më shumë, qendra tregtare “Plus” në Ferizaj, e cila po ashtu prodhon bukën nga furra e saj, çmimin e këtij produkti elementar për jetesë vazhdon ta ketë të njëjtë. Pronari i ”Plus”-it Sylejman Neziri, thotë se afaristët e Kosovës duhet të sakrifikojnë për qytetarët e vet edhe nëse çmimi i miellit mund të ndryshoj, teksa shton se qendra që ai udhëheq nuk e ka ndërmend ta ngrit çmimin e bukës as për një cent më shumë.
“Ne duhet të mësohemi ta mbajmë shtetin dhe u them të gjithë atyre që e kanë rritur në këtë kohë çmimin e bukës se ne duhet njëherë e përgjithmonë të bëhemi si gjermanët, dihet se sa shumë ata kanë sakrifikuar gjatë shtet- ndërtimit dhe kësisoj duhet të veprojmë edhe ne. Këtu nuk është në pyetje llogaria edhe ne e marrim miellin ku e marrin shumica, por tash s’kemi nevojë me kalku çdo gjë, duhet të bëjmë diçka për shtetin“, tha Sylejman Neziri.
E, qytetarët që e blejnë bukën tek “Plus Center” zakonisht janë konsumatorë të përditshëm. Disa prej tyre u shprehën se buka e cila prodhohet këtu është e një cilësie të lartë dhe e ngjashme me gatimet shtëpiake.
“Unë vijë gjithmonë këtu marrë bukë, por edhe harxhin për restorant që me duhet, thjesht ndihem më komod këtu, sepse e di që këtu asgjë s’ka nga produktet e Serbisë, ndërsa po ashtu kualiteti i bukës është shumë në nivel të lartë, prandaj me kilometra vijë këtu çdo ditë”, tha Tefik Sadiku.
“Rritja e çmimit të bukës është mjaftë e rëndë për familjet që mezi lidhin muajin me muaj. Përndryshe kujtoj që rritja e çmimit të bukës është diçka politike, sepse nuk është vetëm buka, por unë po hetoj që shumë artikuj janë rritur. Falënderoj ”Plus”-in që nuk e ka rritur akoma çmimin e bukës, sepse përndryshe unë tash e dy vjet çdo ditë këtu blej bukë, sepse kam vërejtur se është më kualitative, pa aditiv dhe thjesht është si bukë shtëpie”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Edhe unë e blej këtu çdo ditë bukën sepse është kualitative, por edhe e meriton ky biznes i cili përmban çdo gjë vendore dhe asgjë nga Serbia”, u shpreh blerësi tjetër, pronar i restorantit “Ahmet Gjyla”.
Ndër të tjera, pronari i “Plus Center” Sylejman Neziri, pati një kërkesë për Qeverinë e Kosovës.
“Pas Vitit të Ri apeloj tek Qeveria e Kosovës sikurse ka marrë vendim për taksën ndaj Serbisë, ta marrë po ashtu një vendim që çmimi i bukës në Kosovë të jetë i njëjtë, jo diku 30 cent e diku deri në 50 cent. Shteti duhet të ndërhyj këtu dhe të veproj që qytetarëve të vendit të vet t’iu siguroj së paku çmimin e bukës më të volitshëm për ta”, u shpreh Neziri.
Furra e cila funksionon në kuadër të qendrës “Plus” prodhon këtë produkt me një kapacitet jo të lartë. Këtu gjatë ditës prodhohen deri në 2 mijë bukë të llojeve të ndryshme, çmimet e të cilave sillen prej 30 deri në 50 cent.