Datën 21 dhjetor Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, e ka përzgjedhur si datën kur do të shpallet ”Sportisti i Vitit” në këtë komunë. Drejtoresha e kësaj drejtorie Xhemile Murati-Shabani, shqetësuese e konsideroi mungesën e një rregulloreje të veçantë e cila do të përcaktonte kriteret për përzgjedhjen e sportistit të vitit.
“Te sportisti i vitit janë kritere të caktuara nga këshilli profesional, nuk kemi rregullore të posaçme, është i caktuar çmimi në rregulloren për dhënien e dekoratave, mirëpo nuk janë në mënyrë të mirëfilltë të caktuara kriteret se si duhet të bëhet zgjedhja e sportistit të vitit në mënyrë që mos t’u mbetemi borxh klubeve sportive dhe sportistëve në Ferizaj, është dashur që bashkërisht me këshillin t’i japim propzimet e tyre dhe të caktohen kriteret duke u bazuar në rregulloret e ndryshme të Komitetit Olimpik dhe rregulloret e tjera të sportit dhe të caktohen kriteret të cilat do të japin një vlerësim më të drejtë”, tha Murati-Shabani.
Pas përzgjedhjes së ”Sportistit të Vitit”, më 28 dhjetor do të ndahet çmimi “Finesa”. Për të gjithë artistët e interesuar, afati për aplikim do të jetë i hapur deri më 21 dhjetor.
“Sa i përket dhënies së çmimit “Finesa”, Drejtoria e Kulturës ka dalë me një konkurs për aplikim për artistët rezident dhe jo rezident të Ferizajt por që veprimtarinë e tyre e kryejnë këtu, kjo nënkupton që të gjithë mund të aplikojnë deri më datën 21 dhjetor kur është data e fundit që artistët mund t’i sjellin aplikmet e tyre. Rregullorja për dhënien e dekoratave konkretisht tek çmimi “Finesa” e jep një shumë të caktuar deri në vlerën 3 mijë euro, ndërsa me vendimin e kryetarit do ta përcaktojmë shumën për këtë çmim”, tha ajo.
Murati-Shabani, tha se tashmë kanë përzgjdhur edhe komsionin i cili do të bëj vlerësimin e artistëve, duke theksuar se janë përpjekur që ai të jetë gjithpërfshirës.
“Ne jemi munduar që të jenë njerëz të cilët kanë ndikim drejtpërdrejtë në kulturën e Ferizajt dhe që do të japin një vlerësim të drejtë, ne e kemi përzgjedhur një komision që mendojmë se është mjaftë i qëlluar, ky komision është i përbërë nga Sabri Pajaziti nga Drejtoria e Kulturës, mandej nga Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Kastriotët” është Astrit Mustafa, pastaj është Lindita Isufi nga Orkestra e Qytetit, Albulena Nrecaj nga shoqëria civile, Shqipe Ademi nga klubi i gazetarëve “Haki Braha”, Pranvera Sylejmani nga Shoqata e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi” dhe Bardhyl Abazi përfaqësues i shkollës së Arteve “Çesk Zadeja”, unë po konsideroj që ky komision do të jetë shumë i përgjegjshëm, po ashtu kemi artistë të mjaftueshëm që këtë vit kanë treguar mjaftë rezultate”,tha Murati-Shabani.
Vitin e kaluar sportisti më i mirë për vitin 2017 në Ferizaj ishte zgjedhur volejbollisti Edmond Drenogllava i skuadrës “Luboteni”, ndërsa çmimi “Finesa” i ishte ndarë aktorit Shpëtim Selmani.