Operator i makinave me dirigjim kompjuterik, automekanik, instalues elektrik, instalues i ngrohjes dhe i ujit, janë vetëm disa nga profilet në të cilat po aftësohen nxënësit e shkollës së mesme teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj.
Drejtori i kësaj shkolle profesionale Isuf Çalaj, tha se kjo shkollë është pasuruar edhe më shumë me pajisje mekatronike të cilat i kanë përfituar nga projekti ALLEG, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i bashkëfinancuar dhe implementuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, nga të cilat pajisje nxënësit pas përfundimit të shkollës së mesme janë të gatshëm për tregun e punës.
“Këto pajisje që i kemi marrë donacion, është një linjë teknologjike e cila bënë transferin e produktit nga një vend në tjetrin, po ashtu bëjnë klasifikimin në bazë të ngjyrës e sasisë, mësimdhënësit kanë ndjekur trajnimet dhe janë të kyçur mjaftë mirë, këtu përfitohet shumë pavarësisht se janë makina gjysmë shkollore dhe gjysmë industriale, mirëpo programi është i njëjtë, nxënësit të cilët dëshirojnë të marrin dije mjafton ta mësojnë programin dhe ata do të jenë të mirëpritur kudo qoftë”, tha Çalaj.
Megjithatë, shqetësim për këtë shkollë vazhdon të mbetet interesimi i ulët i nxënësve për të qenë pjesë e saj.
“E keqja tek ne është se profilet që i kemi hapur tani na duhet një elitë e nxënësve që na vijnë me një përgatitje nga shkolla fillore, kurse e keqja është se kemi nxënës jo të përgatitur siç duhet, ka makina që janë të ndjeshme dhe mund të dalin nga programi, por për momentin mësimdhënësit po janë shumë të kujdesshëm. Kisha apeluar që të vetëdijësohemi të gjithë si prindërit fëmijët, institucionet, pasi me të vërtetë janë profile që i duhen Kosovës, janë profile direkte që kyçen në prodhim”, tha Çalaj.
Basri Kamberi, profesor në shkollën teknike të Ferizajt, tha se nxënësit të cilët vijojnë mësimet në këto profile, e kanë të sigurtë punësimin.
“Këto janë makina me dirigjim kompjuterik apo CNC, janë makina që punojnë në mënyrë automatike në bazë të programit që përgatitet paraprakisht, kjo makinë shërben për përpunimin e metalit, këto makina përdoren në shtetet evropiane dhe janë makina që përdoren nëpër fabrika me kapacitete të mëdha, pas tri viteve nëse nxënësit dojnë me mësu munden me qenë të gatshëm për tregun e punës dhe me punu me makina të këtyre llojeve në fabrika të ndryshme, kryesisht në industritë metalike, në industritë e përpunimit të drurit, e të tjera”, tha Kamberi.
Kurse, nxënësit thanë se shpresojnë që pas përfundimit të shkollës të arrijnë të punësohen.
“Ne me këto makina po krijojmë shumë gjëra, lënda është e mirë, shpresoj që në të ardhmen të punësohemi në fabrika”, tha Bleron Ademi.
“Në fillim na është dukur shumë program i rëndë, por tani e kemi përvetësuar mjaftë shumë”, tha një tjetër nxënës.
“Jam në drejtimin e instalimit të ngrohjes dhe klimatizimit, këtu bëjmë montimin e pompave, kemi bërë edhe ngrohjen me nxemje qëndrore këtu në punëtori, e kemi bërë bashkë me profesorin, është drejtim shumë i mirë”, tha Freskim Lohaj.
Në shkollën teknike “Pjetër Bogdani”, ekzistojnë katër drejtime: makineri, elektroteknikë, komunikacion dhe ndërtimtari.