Klubi i gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Ali Sinanit, përgjegjës për media në kazermën e Doktrinës dhe Stërvitjes “Skendërbeu” në Ferizaj.
Gazetarët ferizajas, përmes një telegrami ngushëllimi, thanë se e ndjejnë thellë humbjen e Sinanit, i cili nuk do të harrohet kurrë për punën e palodhshme dhe bashkëpunimin me mediat e këtushme.
Më poshtë gjeni të plotë telegramin e ngushëllimit të klubit ”Haki Braha” dërguar familjes Sinani.
E nderuara familje Sinani
Të nderuar pjesëtarë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e një njeriu të vyeshëm e të lidhur ngusht me profesionin, Ali Sinanit- përgjegjës për media në kazermën e FSK-së “Skendërbeu” në Ferizaj.
Me sinqeritet e themi se ne si gazetarë ferizajas kishim një bashkëpunim shumë profesional me Aliun, prandaj e ndjejmë thellë humbjen e tij.
Të rrallë janë personailtete si ai, fjalëpak, i përkushtuar e shumë atdhedashës.
Edhe për nesër e kemi ëndërruar që më të, të kontaktojmë e t’i gëzohemi themelimit të Ushtrisë bashkë, por fati e paska paraparë ndryshe.
Ali, të falënderojmë përjetësisht për të gjitha që ke bërë për ne. Veprat e tua le të jenë udhërrëfyesi më i mirë në botën e përtejme duke na bërë që kurrë mos ta harrojmë dikë si ti.
Me pikëllim Klubi i gazetarëve “Haki Braha” – Ferizaj