Në mesin e 115 garuesve të ekspozitës me fotografi që u zhvillua në kuadër të ”Javës Kundër Korrupsionit”, çmimin e parë e fitoi ferizajasja Bardha Goga. Fotografia e kësaj fotografeje të re në moshë, e cila pasqyron realitetin e vendit tonë përmes katër fëmijëve që po siguronin bukën e gojës, arriti të vlerësohet si më e qëlluara e temës së sivjetme të ekspozitës. Fotografja Goga, shprehet e lumtur që puna e saj është vlerësuar kaq lartë përmes një shkrepje që kishte bërë gjatë këtij viti shumë spontanisht.
“Unë besoj se kjo fotografi është vlerësuar për këtë çmim pasi që edhe e jep pikërisht këtë mesazh që vendi ynë është i korruptuar dhe njerëzit janë mjaftë të varfër në këtë vend. Ata fëmijë të cilët shkojnë për çdo ditë për të mbledhur hekura dhe për ta mbajtur familjen janë një realitet i shoqërisë sonë. Ndoshta është pak e vështirë me i fotografu se ne si fotografë nuk do të thotë se ndihemi mirë vetëm për t’i fotografuar dhe për të marrë pjesë në një garë, gjendja e tyre normal që më ka prekur thellë në shpirt. Ndryshe, unë tërë kohën jam me aparat në dorë dhe fotografoj realitetin në vendin tim dhe mundohem që ta paraqes sa më real, nuk bëj ndonjë montazhë me fotot, do të thotë, atë që unë e shoh dhe ma sheh syri e zemra e fotografoj”, u shpreh Goga.
Pas marrjes së këtij çmimi, Bardha Goga ka hulumtuar për fëmijët që i ka fotografuar. Për këtë ajo e ka një tjetër qëllim.
“Mendoj se njerëzit duhet me qenë human, para krejt profesioneve të tjera që i kanë. Unë këto ditë kam hulumtuar, kam pyetur gjithandej se kush mund t’i njoh këta fëmijë, fatmirësisht i gjeta dhe së bashku më një profesoreshë të gjimnazit e cila po bën aktivitete humane, shkuam i vizituam në shtëpi dhe besoni se gjendja e tyre është akoma më e rëndë sesa duket në foto, prandaj me paratë që do t’i marrë nga ky çmim kam vendos që atyre se paku në këtë fundvit t’ua dërgoj disa dhurata dhe veshmbathje, por që për një jetë më të lehtë për ta do të bëjmë një aksion më të gjerë në ditët e ardhshme”, tha Bardha Goga.
Fotografja Bardha Goga, e cila ka studiuar juridikun, tregon se vitin 2018 ia ka kushtuar më shumë fotografisë. Përveç atyre që bënë për qejfin e saj, kjo vajzë e re është vetëpunësuar në biznesin e vet.
“Nuk është se e kam gjetur shumë vetën në juridik, sidomos në shtetin ku jetojmë, pasi e kam parë që pikërisht aty ku mësohet për drejtësinë ka më së shumti padrejtësi, kështu që pasionin tim për fotgrafinë arrita ta bëj viteve të fundit ku edhe e bleva një aparat profesional dhe po vazhdoj kështu me punën e fotografes pa kryer ndonjë kurs apo shkollë. Unë këtë pasion e kam kthyer edhe në profesion, realisht kam arritur ta hap studion time të fotografisë, por pjesën kur unë bëj foto në rrugë apo gjetiu nuk e shoh si përfituese”, tha fotografja Goga.
Fotografja Bardha Goga, me fotografitë e saj synon të jetë pjesë edhe e ekspozitave të tjera që zhvillohen brenda dhe jashtë vendit.