Në sallën e Kuvendit Komunal të Ferizajt, është prezantuar drafti i strategjisë komunale për personat me aftësi të kufizuara dhe plani i veprimit, përmes së cilëve synohet realizimi i të drejtave të kësaj kategorie të shoqërisë.
Përfaqësues të shoqatës “Handikos” në Ferizaj, thanë se ky draft dokument përmban disa objektiva strategjike, të cilat nëse do të zbatohen, do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së këtyre personave.
“Objektiva e parë strategjike ka të bëjë me arsim dhe zhvillim profesional, rregullimi i qasjes fizike në shkollat të cilat frekuentojnë personat me aftësi të kufizuar, rritja e shërbimeve mbështetëse, do të thotë, asistentë në institucionet arsimore, objektiva e dytë ka të bëjë me shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, është zgjerimi dhe përmirësimi në shërbimet mjekësore rehabilituese dhe sociale për personat me aftësi të kufizuar, objektiva e tretë ka të bëjë me aftësim profesional dhe punësim, krijimi i kushteve dhe mundësive të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ndarja e granteve për vetëpunësim të personave me aftësi të kufizuar dhe ofrimi i punës praktike për personat me aftësi të kufizuar”, tha Gresa Behluli nga “Handikos”.
Në këtë diskutim publik që ishte thirrur për të marrë rekomandimet e qytetarëve, vërejtje dhe sugjerime dhanë vetëm dy persona, njëri nga ta zyrtar komunal.
“Në këtë draft shkruan se llogaritet se në Ferizaj janë diku 1800 persona me aftësi të kufizuar, mendoj se këto përllogaritje nuk janë të sakta, pasi në komunën e Ferizajt besoj se numri i tyre është mbi 25 mijë banorë me aftësi të kufizuar të të gjitha kategorive”, tha një pjesëmarrës në diskutim.
“Përpos strategjive që janë të shumta në të gjithë vendin, ndoshta është e rëndësishme të bëhet edhe një listë prioritare apo një listë e aktiviteteve vjetore që duhet të shënohen nga komiteti i personave me nevoja veçanta në mënyrë që të ketë efekt direkt zbatimi i kësaj strategjie dhe mos të mbetet vetëm një dokument në letër”, tha Albion Sherifi.
Strategjia komunale për personat më aftësi të kufizuara dhe plani i veprimit, do t’i dërgohen Kuvendit Komunal të Ferizajt për miratim në seancën e radhës.