Asfaltimi i rrugicave në fshatin Komogllavë të Ferizajt, hyri në fazën finale. Banorët që kishin dalë t’i shohin punimet, u takuan edhe me kryetarin e komunës Agim Aliun, me ç’rast disa prej tyre iu ankuan atij për kualitetin e punimeve dhe moslargimin e shtyllave elektrike nga rruga.
“Keqpërdorime ka sa të duash në rrugë, po shihen shtyllat, që një vit jemi në shqyrtim dhe nuk vjen me i largu askush, asfalti po shihet, vetëm janë duke e nxi, nuk jemi të kënaqur aspak, kemi prit 20 vite parti pas partie duke na ardhë me premtime e realizime hiç, siç po shihet në lloç është duke u bërë asfaltimi”, tha Raif Osmani, banor i fshatit Komogllavë.
“Nevojë ka pas qysh kaherë, tani i erdhi fundi dhe jemi shumë të kënaqur, përpos një rrugë që e kemi problem, është një lumë i vogël aty por na është premtuar nga drejtori dhe kryetari se është rruga e parë për t’u asfaltuar vitin e ardhshëm, tani nuk na mungon asgjë dhe ishalla na shkojnë punët mirë”, tha Musli Ramadani, banor i fshatit Komogllavë.
Sa i përket shtyllave elektrike në rrugë, drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, tha se kanë biseduar me zyrtarë të KEDS-it, por ata ende nuk kanë marrë ndonjë veprim andaj kërkesat për heqjen e tyre do të vazhdojnë. Sa i përket ankesave të banorëve për asfaltim jocilësor, Bytyqi paralajmëroi padi për kompaninë në rast se punët nuk kryhen si duhet.
“Ne kemi kontaktu me kompaninë, ka qenë mbikqyrësi i punimeve vazhdimisht, po ashtu janë bërë shqyrtimet dhe matjet e nevojshme të cilat kanë qenë të parapara në bazë të kontratës dhe sot po bëjmë asfaltimin e kësaj rruge, po ashtu edhe kontraktori e ka një garancion për këtë rrugë dhe në rast se do të kemi ndonjë telashe me këtë rrugë ne do ta padisim operatorin dhe do ta shfrytëzojmë të drejtën e garancionit që e kemi për këtë rrugë”, tha Bytyqi.
Ky investim i nisur në në Komogllavë, kap vlerën e rreth 400 mijë eurove.