Debati publik i thirrur për të diskutuar rreth projektit të varrezave të reja të Ferizajt, nuk u mbajt, meqë nuk pati asnjë qytetar të interesuar.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal Kristina Gashi-Bytyqi, tha se për këtë debat qytetarët janë njoftuar që nga data 29 nëntor.
“Ka qenë njoftimi me kohë që është bërë nga Zyra e Informimit brenda afateve ligjore, mirëpo siç po shihet nuk ka qytetarë të interesuar që të marrin pjesë në prezantimin e projektit të varrezave të qytetit, një projekt madhor, i rëndësishëm për komunën e Ferizajt, besoj se nëse kishin ardhë qytetarët do të mund t’i jepnin rekomandimet e veta, sigurisht për ndryshimet e mundshme të këtij projekti, megjithatë Drejtoria e Urbanizmit është e gatshme kurdo që qytetarët janë të interesur të njoftohen për projektin e varrezave ata do të marrin informacione”, tha Gashi-Bytyqi.
“Është njëri ndër projektet kryesore të komunës së Ferizajt që është punuar mjaft gjatë nga profesionistët e fushave të ndryshme, sot ka qenë dashtë të prezantohet logjikisht më në detaje projekti, hapësirat të cilat janë të nevojshme, ndarja në blloqe, hyrjet si dhe distancat mes pjesës së qendrës dhe pjesës që është e destinuar hapësira për varreza, sot kemi dashtë me prezantu një projekt shumë modern që ka me qenë një projekt model për të gjitha qytetet e tjera ku në kuadër të saj jemi në përpilim edhe të rregullores së re ku ka qenë mirë me pas pjesëmarrje, por fatkeqësisht mungon”, tha Zekrija Jakupi nga Drejtoria e Urbanizmit.
Ky ishte debati i parë dhe i fundit i thirrur për projektin e varrezave të qytetit, për të cilat ka vite që është shkaktuar zhurmë e protesta në Ferizaj.