Me një investim që qeveria lokale e Ferizajt asnjëherë nuk është bërë rehat, është ashensori që ndodhet në objektin e komunës. Gjatë pushtetit të kaluar, ky ashensor një ditë punonte e një javë jo, ndërkaq sivjet ky mjet i domosdoshëm për zyrtarë e qytetarë, po funksionon pjesërisht. Për ta shfrytëzuar atë duhet të jesh VIP, sepse administrata komunale ka paraparë që për t’u ngjitur lartë me ashensor duhet të kesh kartelë të veçantë. Zëdhënësi i komunës Selim Marevci, thotë se kjo është e përkohshme derisa mjeshtërit ta vërtetojnë që ai është në gjendje të përballoj fluksin e qytetarëve që hyjnë dhe dalin nga ashensori.
“Arsyeja pse ashensori funksionon vetëm me çip kartela është sepse jemi në fazën testuese të tij, pasi që dihet në fillim kur kemi ardhur në pushtet ashensori s’ka funksionuar për shkak të problemeve që ka pasur, prandaj tani mirëmbajtësit e tij kanë bërë disa rregullime dhe po presim se sa është definitiv rregullimi i tij. Ndryshe, zyrtarët e kateve më të larta janë pajisur me këto kartela, ndërsa punëtorët e sigurimit që qëndrojnë te porta i kanë kartelat dhe u shërbejnë palëve që janë të interesuara për të kryer punë në komunë me ashensor, ata janë gjithmonë aty dhe po bëjnë asistimin e personave që kanë nevojë për ashensor”, u shpreh Marevci.
E, derisa komuna do ta rregulloj ashensorin e vet, punëtorët e sigurimit po e kryejnë edhe këtë punë, duke i ndihmuar palët për t’u ngjitur lartë, e ata që s’kanë dijeni që ashensori lëviz vetëm me çip dhe nuk kërkojnë ndihmë nga punëtorët e sigurimit, detyrohen që punët në komunë t’i kryejnë duke ia mësyer shkallëve.