Rasim Çerkini banor i rrugës “Elhami Hasani” në Ferizaj, po ankohet se gjatë rregullimit të kanalizimit nga fqiu i tij, është dëmtuar rruga. Ai thotë se disa herë ka kërkuar ndihmë nga komuna, por asnjëherë nuk është marrë parasysh.
“Ne e kemi bërë instalimin e kanalizimit dhe ujësjellësit vet, por është zënë kanalizimi dhe është detyru vet një kojshi me hap pasi komuna s’ka ardhë me rregullu, ndërsa këtë rrugë unë e kam pas asflatu vet me forca të mia po tani është dëmtu, kur po bje shi po bëhet lloç dhe për dimër problem me kalu, kam qenë në komunë më kanë thënë e asfaltojmë sot e nesër, por ende vazhdon të mbetet kështu, të gjitha rrugët afër i kanë asfaltu, ndërsa rrugën tonë nuk po e asfaltojnë”, tha Çerkini.
Kurse, në Drejtorinë e Infrastrukturës në Ferizaj, thonë se kjo rrugë do të rregullohet në vitin e ardhshëm.
“Në përgjithësi në zonën urbane të qytetit ne kemi telashe të mëdha me infrastrukturën, por për ne vazhdon të jetë prioritet zona urbane pasi kemi asfaltuar një numër të madh të rrugicave në zonën urbane. Sa i përket rrugës “Elhami Hasani”, unë e kam pasur këtë qytetar në zyrën time dhe i kam treguar se në momentin e parë që na jepen hapësirat buxhetore ne do të merremi me problematikën e asaj rruge dhe në kuadër të projektit të rrugicave që do t’i shpallim gjatë vitit të ardhshëm figuron edhe rruga”Elhami Hasani” që do ta trajtojmë edhe atë rrugë në kuadër të këtij projketi”, tha Bytyqi.
Kjo rrugë e cila po kërkohet të asfaltohet është e gjatë rreth 100 metra.