Problemet e shumta që has një nxënës me aftësi të kufizuara për qasje nëpër institucione arsimore, iu demonstruan nxënësve të shkollave të ndryshme të Ferizajt.
Albiona Ademi nga shoqata“Handikos”, tha se përmes këtij aktiviteti synojnë t’iu tregojnë nxënësve nevojat dhe vështirësitë që ka një nxënës me aftësi të kufizuara.
“Sot kemi aktivitetin ndërgjegjësues në bashkëpunim me shkollat dhe grupin e fëmijëve asamblistë të Ferizajt, ku për qëllim e kemi ndërgjegjësimin e fëmijëve për pranimin e fëmjëve me aftësi të kufizuara në klasat e tyre apo në shkolla, kemi për bazë disa tema të aftësisë së kufizuar si autizmin, disleksinë, paralizat celebrale, do të ndahemi në grupe bashkë me fëmijët e tjerë, ku të gjithë do të kenë mundësi me i pa nevojat apo vështirësitë që i kanë fëmijët me aftësi të kufizuara gjatë mësimit nëpër shkolla, por edhe në jetën e përditshme”, tha Albiona Ademi.
Kurse, nxënësit thanë se për bashkëmoshatarët e tyre me nevoja të veçanta kanë respekt të madh dhe u ndihmojnë sa herë që paraqitet nevoja.
“Në shkollën tonë “4 Prilli” në Zllatar e kemi një nxënës me aftësi të kufizuar, është në klasë të pestë, drejtori i shkollës ia ka ndërtuar rrugën atij që me pas më të lehtë, po ashtu të gjithë nxënësit e respektojnë dhe sillen mirë me të, madje më 3 dhjetor e kemi mbajtur një aheng për nder të tijë”, tha Blerta Kurti.
“Unë e kam në klasë një nxënës me aftësi të kufizuar, kalojmë shumë mirë me të dhe nuk e dallojmë, ndoshta ndonjëherë ka paragjykime, por në përgjithësi ne mundohemi me ndihmu edhe për detyra edhe për çdo gjë, ka raste kur ndihet keq, por ne mundohemi me mbështet”, tha Viola Çerkini.
Burim Sylejmani, mësues mbështetës dhe koordinator i ekipit vlerësues, tha se shtimi i numrit të mësuesve mbështetës nëpër shkollat e Ferizajt, do të ndikonte në shkollimin e mëtutjeshëm të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Ideja për sensibilizim në Ferizaj ka kohë që ka filluar, edhe ne si ekip vlerësues po bëjmë sensibilizimin edhe në shkolla të tjera dhe duke i parë qytetet e tjera në nivel vendi kujtoj se Ferizaj është një hap përpara, por nuk mund të themi që është edhe mirë pasi ka punë për të bërë. Shtimi i mësuesve mbështetës nëpër shkollat e rregulllta na e kish lehtësu punën edhe për sensibilizim, por edhe për mbështetje të këtyre fëmijëve. Drejtoria e Arsimit besoj se në janar do të filloj me 6 asistentë, kështu që besoj se do të bëhet një punë e mirë edhe për sensibilizim, por edhe për rehabalitim të këtyre fëmijëve”, tha Burim Sylejmani.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, në këtë qytet janë mbi 180 nxënës me aftësi të kufizuara të cilët vijojnë mësimin nëpër shkollat e Ferizajt dhe dy çerdhet publike.