Nga sot, nxënësit e shkollës fillore “Besim Rexhepi” në Komogllavë, orën e lëndës së muzikës do të zhvillojnë pak më ndryshe. Përveç teorisë që këta nxënës kanë mësuar vazhdimisht, një instrument muzikor do t’ua bëj më atraktive këtë orë. Është kjo një piano e dhuruar nga bashkatdhetari Garip Shabani.
Babai i donatorit, Gani Shabani, tha se kjo është piano e dhjetë që ia kanë dhuruar shkollave të këtushme.
“Kjo piano në fillim është dhënë nga një vendase zvicërane, ajo ia ka dhuruar djalit tim pasi ishte për shkollë që e falënderoj edhe atë që ka menduar për nxënësit tanë, pasi muzika është e lënë anash në vendin tonë, po ashtu është edhe mungesë e tyre, unë falënderoj edhe atë bamirëse dhe djalin tim që ka menduar ta bëj këtë gjest, por edhe kompaninë “Eliot Trans” që na e ka sjellë gratis pianon nga Zvicra deri këtu, po besojmë se të gjitha shkollat në komunën e Ferizajt do t’i pajisim me piano, besoj dalëngadalë”, tha Gani Shabani.
Drejtoresha e shkollës ”Besim Rexhepi”, Dajete Qazimi, tha se instrumentet muzikore në këtë shkollë janë shumë të nevojshme.
“Sot shkolla jonë e pranoi këtë piano si donacion, një gjest shumë bujar dhe diçka shumë e mirëpritur për shkollën tonë, falënderoj së pari inciatorin Gani Shabani dhe donatorin kryesor djalin e tij Garip Shabani për këtë donacion që është shumë i vlefshëm për shkollën tonë, dihet se mungesa e mjeteve qoftë muzikore apo edhe e lëndëve të tjera është shumë e ndjeshme në shkollën tonë dhe tani e tutje besoj se arsimtarja e muzikës dhe nxënësit që kanë prirje për muzikë do të kenë mundësinë për të zhvilluar talentin e tyre”, tha Qazimi.
Këtë donacion e mirëpritën edhe nxënësit e kësaj shkolle.
“Nuk kemi pasur piano në shkollë, orën muzikore e kemi mbajtur me libra e me shënime në tabelë, ndërsa tani e kemi pianon. Unë jam edhe në shkollën e muzikës ushtroj për klarinet, por tani që është edhe piano në shkollën tonë do t’i bie edhe pianos”, tha Meriton Latifi.
Kjo piano u tha se ka një vlerë mbi 2 mijë euro.