Regjisori ferizajas Besim Ugzmajli, së fundmi fitoi edhe dy çmime ndërkombëtare me filmin e tij “Më fal”. Ugzmajli mori çmimin si regjisori më i mirë në festivalin “Festival Internacional de Cine de Cartagena”, në edicionin e 47-të në Spanjë dhe çmimin special në ”Bosnia Herzegovina Looks Around Festival”. Ky film i cili është realizuar këtë vit me vetëfinancim të producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala, sjellë tematikën e një djali të ri të quajtur Bujar i cili manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste në Siri. Ugzmajli u shpreh i lumtur që filmi i tij u vlerësua aq lartë në një konkurrencë kaq të madhe filmash.
“Sigurisht unë jam përpjekur që filmi të sjellë një mesazh të përgjithshëm, sepse filmi i mirë nuk është vetëm si storie e mirë, por është shumë e rëndësishme që filmi me pas një storie e cila komunikon me botën. Ka pas sukses dhe po mendoj që kemi arrit që filmi ynë të komunikoj me botën dhe të vlerësohet nga njohësit e kësaj fushe. Përndryshe, filmi tregon se si një djalë vendos me iu bashkëngjit luftës në Siri, mirëpo ky nuk është efekti kryesor i filimit, pasi që qëllimi kryesor është me i paraqit dramat që mbeten në familjet që dikush i bashkëngjitet luftës e sidomos një lufte të tillë që ka sjellë tmerrin jo vetëm këtu por gjithandej, pra kjo dramë e përcjell filmin përgjatë 15 minutash”, u shpreh Ugzmajli.
E, derisa arritjet dhe sukseset e komunitetit të artistëve të këtushëm po depërtojnë në Evropë e më larg, procesi i vizave për kosovarët sikur e ka zhgënjyer këtë komunitet edhe njëherë. Ugzmajli, ka vlerësim edhe për këtë nevojë elementare të artistëve. Ai thotë se mungesa e vizave ka të bëj me një fyerje të jashtëzakonshme të dinjitetit tonë.
“Përtej asaj që pamundëson lëvizjen e lirë në njëfarë forme është një ofendim apo klasifikim si një popull i veçantë dhe krahas saj unë kudo që kam marrë pjesë e kam përmendur këtë fakt meqenëse shumica e festivale që më kanë ftuar të jem pjesë e tyre më kanë ofruar gati gjithçka sikur udhëtimin, akomodimin dhe gjëra të tjera, pamundësia ka qenë gjithmonë tek problemi i vizave. Thjesht, para një pjesëmarrje në një festival ne e marrim vesh dy javë përpara e paramendoni me apliku sot për vizë në cilëndo ambasadë kalojnë pothuajse muaj të tërë për të të kthyer përgjigjie“, tha Ugzmajli.
Filmi i shkurtër “Forgive me” deri më tani është prezantuar në mbi 50 festivale të rëndësishme në botë, ku ka marrë 8 çmime. Me ose pa viza, ky regjisor i suksesshëm ferizajas nuk do të ndalet. Ai tashmë ka marrë konfirmimin që filmi i tij do të jetë pjesë e festivaleve prestigjioze edhe gjatë vitit 2019.