Ditën e personave me aftësi të kufizuara, shoqata ”Handikos” në Ferizaj e shënoi me një tryezë në të cilën u diskutua draft strategjia komunale për këtë kategori shoqërore dhe plani i veprimit. Në këtë tryezë, përveç personave me aftësi të kufizuara, morën pjesë edhe asamblistë lokal, përfaqësues të ekzekutivit, si dhe organizata të ndryshme joqeveritare. Menaxherja e shoqatës ”Handikos” në Ferizaj, Xhemile Murseli, tha se pavarësisht shumë proceseve që janë kryer në favor të kësaj kategorie, personat me nevoja të veçanta kanë ende të drejta që nuk i gëzojnë, jo vetëm në Ferizaj, por në mbarë vendin.
“Vendi ynë ka shënuar në disa fusha, por ende duhet të punohet për të thënë se po arrihen të plotësohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ligjet ekzistuese kanë hasur në moszbatueshmëri të plotë, disa prej tyre vlerësohen mos të jenë adekuate, nuk ka harmonizim të ligjeve e disa të tjera nuk gjejnë zbatim për shkak të mungesës së akteve nënligjore, si për shembull është ligji i punësimit, i cili s’ka gjetur fare zbatim”, tha Murseli.
Për ta krijuar një databazë për numrin dhe gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në komunën e Ferizajt, shoqata ”Handikos” po ndihmohet financiarisht nga USAID-i, ku këtë projekt do ta zbatoj organizata ATRC.
“Në kuadër të shumë përparimeve që janë shënuar, megjithatë kemi shumë e shumë kërkesa që duhet të adresohen. Në nivel të Kosovës mungon një bazë e të dhënave e saktë se sa është numri i personave me aftësi të kufizuara, kush është kategorizimi i tyre dhe në bazë të këtij kategorizimi të bëhet edhe mbështetja financiare e ofruar nga institucionet komunale“, tha përfaqësuesi i ATRC.
E, derisa kryetari i komunës së Ferizajt nuk mori pjesë në këtë tryezë pavarësisht ftesës që kishte, zotimet dhe angazhimet e nivelit lokal për këtë kategori të shoqërisë i prezentoi kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyqi. Ajo tha se që nga ardhja në pushtet kjo qeveri është angazhuar në maksimum për këtë kategori.
“Ne e kemi marrë këtë përgjegjësi dhe tash këtë draft strategji jemi duke e kthyer në dokument zyrtar i cili do të shërbej në cilësinë e jetës dhe krijimin e një shoqërie gjithpërfshirëse. Kjo strategji do të jetë e rëndësishme për komunën e Ferizajt dhe më vjen mirë që do të jemi si model për komunat e tjera të rajonit për të siguruar që të gjitha parimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si dhe ligjet dhe politikat e Republikës së Kosovës janë të inkorporuara në aktivitete dhe veprime përmes të cilave do të respektohen të drejtat e kësaj kategorie”, tha Gashi-Bytyqi.
Sipas të dhënave që posedon shoqata “Handikos” aktualisht në komunën e Ferizajt janë mbi 900 persona me aftësi të kufizuara, ku këtu sipas kësaj shoqate, hyjnë personat me aftësi të kufizuara fizike e intelektuale, me probleme në të dëgjuar dhe të parë, por edhe të kombinuara.