Në kuadër të projektit “Dua të shoh si ti”, që u dedikohet fëmijëve të verbër dhe atyre me të parë të dobësuar, më 4 dhjetor do të mbahet një koncert në teatrin e Ferizajt, ku do të interpretojnë nxënës të shkollave të këtij qyteti. Inicuesja e këtij projekti Albulena Nuredini, njoftoi se në këtë koncert për të cilin veçse kanë filluar provat e para, do të ketë edhe poezi, e shfaqje. Ajo shfaqi shpresën se ky aktivitet do të ndikoj në sensibilizimin e qytetarëve për t’i konsideruar të barabartë të gjithë fëmijët.
“Ka disa muaj që po punojmë në implementimin e këtij projekti për ta vënë në jetë dhe realisht shfaqjen që e kemi mbajtur ka qenë më 29 qershor, ndërsa shfaqja e dytë do të jetë më 4 dhjetor në orën 17:00 në teatër dhe nga ky koncert kemi për qëllim që ne të sensibilizojmë qytetarët që fëmijët e verbër nuk kanë asnjë problem dhe mund të jenë pjesë e shfaqjeve, mund të ëndërrojnë e të bëhen nesër me profesione”, tha Nuredini.
Kurse, nxënëset të cilat do të interpretojnë në këtë koncert, thanë se ndjehen të lumtura që janë pjesë e këtij aktiviteti.
“Unë do të këndoj së bashku me grupin që jemi duke u dirigjuar nga profesoresha Nuredini, kemi përzgjedhur disa këngë dhe kemi një mesazh për të gjithë fëmijët që të gjithë janë të barabartë pavarësisht tipareve apo dallimeve që ata kanë, të gjithë duhet të trajtohen njësoj edhe ata fëmijë që kanë hendikep edhe ata që janë të verbër, të gjithë duhet të trajtohemi njëjtë”, tha Anisa Shabani.
“Ky aktivet është duke u bërë për fëmijët e verbër dhe mesazhi që duam të përçojmë është që të gjithë fëmijët janë të barabartë”, tha Artina Musliu.
Nuredini njoftoi se shumë shpejt do të përurohet edhe një klasë ku nxënësit e verbër dhe me të parë të dobësuar do të mund të zhvillojnë procesin mësimor.