Për t’i prezantuar punët dhe arritjet që kanë shënuar gjatë një viti të qeverisjes, para mediave sot doli drejtoresha me moshën më të re në qeverinë Aliu, Aurora Ramadani.
Kjo drejtoreshë e cila udhëheq me Administratën e komunës, tha se gjatë kësaj periudhe kohore janë përmbushur të gjitha objektivat e parapara.
“Viti që po lëmë pas përmban objektiva të finalizuara dhe të tjera që janë ende në proces për shkak që nevojitet një kohë më e gjatë e përmbushjes së tyre ku në ndërkohë për ato të finalizuarat vlenë të përmendet edhe sistemi i menaxhimit të radhëve tek zyra e gjendjes civile, projekt ky që ka ndikuar në lehtësimin e shërbimeve duke i bërë ato më efikase dhe më të barabarta për qytetarët. Problematikë e zgjidhur këtë vit është edhe riparimi i ashensorit në objektin e komunës, hartimi i rregullores për asgjësimin e dokumentacionit, e cila e hap rrugën drejt një digjitalizimi sa më të shpejtë, po ashtu projekt tjetër që ka pasur për qëllim uljen e shpenzimeve të karburanteve është pajisja e veturave zyrtare me GPS”, u shpreh Ramadani.
Ndërkaq, në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies, drejtoresha Ramadani ka treguar se të gjithë punonjësit e Administratës i ka pajisur me kartela të reja për hyrje-dalje.
“Pajisja ose kartela më e re për zyrtarët ka qenë një hap primar për punonjësit apo zyrtarët e këtushëm, të jenë lehtë të identifikueshëm për palët dhe të kenë një paraqitje sa më dinjitoze për institucionin”, tha Ramadani.
Por, kur jemi tek zyrtarët komunal, drejtoresha e Administratës thotë se nuk e dinë numrin e punëtorëve të rinj që ky pushtet gjatë këtij viti i angazhoi si punonjës me kontrata mbi vepër.
“Besoj që nuk jam edhe shumë kompetente për një përgjigje të tillë, pasi që zyra e personelit praktikisht e bëjnë me zyrën e kryetarit. Megjithatë, mund të them se ata punëtorë që janë të angazhuar me kontrata në vepër si punonjës të shërbimeve të veçanta, janë duke punuar njësoj sikur ata që janë të punësuar me vendim dhe po japin një kontribut mjaftë të mirë”, tha Ramadani.
Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme Aurora Ramadani, ka njoftuar se komuna e Ferizajt këto ditë do të angazhoj edhe një zyrtar komunal i cili do të shërbej si pikë referuese për qytetarët, në mënyrë që ata të informohen më gjerësisht rreth procedurave administrative e ligjore dhe afateve rreth kërkesave e parashtresave.