Gjykata e Ferizajt vazhdon me zvarritjen e gjykimit të ish-drejtorit Faik Grainca, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, pasi as sot nuk përfundoi me dëgjimin e planifikuar të palës së dëmtuar, duke e shtyrë sesionin e nesërm për 11 dhjetor.
Në sesionin e paraditës, dëshminë e tij e vazhdoi Imri Haliti i cili ishte në radhë t’i përgjigjej pyetjeve të parashtruara nga i akuzuari Faik Grainca. Grainca tha se ka fakte që pala e dëmtuar kishte drekuar me prokurorë të Ferizajt në restorantin “Adriani”, gjë të cilën Haliti e mohoi.
“Një pyetje konkrete, a ke drekuar me një tavolinë me zyrtarin e Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe me dy prokurorë të Prokurorisë Themelore, Ekrem Koxha dhe dy prokurorë të tjerë, nuk ua di emrat, por e di që janë prokurorë”, pyeti Grainca.
“Jo asnjëherë dhe kjo është shpifje nga i akuzuari, nuk është e vërtetë”, u përgjigj Imri Haliti.
“Do të thotë ju nuk keni qenë asnjëherë në restorantin “Adriana” ju dhe dy prokurorë dhe zyrtari nga Departamenti i Krimeve Ekonomike”, vazhdoi Grainca.
“Jo, është e vërtetë që nuk kam dreku kurrë, por le ta tregon kohën, ditën dhe kush kanë qenë ata prokurorë, pasi kjo është shpifje nga i akuzuari”, tha Haliti.
“Ne nuk mundemi me detyru me tregu kohën, kjo është pyetje e tij dhe jo e jona”, tha gjykatësi Sahit Krasniqi.
“Me rëndësi është që gjykata le ta konstaton që përgjigjia është jo dhe unë në procedurat e mëtutjeshme e vërtetoj të kundërtën”,tha Grainca.
Në cilësinë e palës së dëmtuar dëshminë e tij e dha edhe Bekim Haliti, po ashtu banor i rrugës “Astrit Bytyqi”. Në kërkesën e parreshtur për të paraqitur rrjedhën kronologjike të veprës penale për të cilën akuzohet ish-drejtori Grainca, trupi gjykues prerazi kërkoi përqëndrimin e dëshmisë vetëm në veprën e dyshuar penale duke anashkaluar kontekstin kohor, motivet dhe dëshminë e dëshmitarit për përfshirje eventuale të personave të tjerë në bashkëkryerje te veprës penale.
“Definitivisht nëse nuk më lejohet të bëj një kronologji të mëhershme nuk më mbetet tjetër pos me shiku me bë një ankesë me u ndërru trupi gjykues, pasi kjo lëndë lidhet drejtpërdrejtë, këto ndryshime nuk kanë ndodhur siç është e fokusuar në aktakuzë, këto ndryshime kanë ndodhur në vitin 2015, qartë shihet se kush është iniciatori i ndryshimeve. Revidimi i planeve rregulluese është kontraktu një kompani, është shpenzu buxheti i komunës, ka pas falsifikime dhe në fund është kthy si proces i paligjshëm, ato kanë qenë edhe taksa të mia dhe është absurde si nuk po merret prokuroria dhe gjykata me këtë rast kur dhe lidhet me këtë lëndë, po ashtue dhe anëtarët e komisionit që janë liruar është e çuditshme pasi gjithë ka qenë dashtë të jenë të akuzuar”, tha Bekim Haliti.
“Nuk mundesh ti me na akuzu neve me thanë që kërkon përjashtim të trupit gjykues, ne e kemi aktakuzën përpara dhe në kuadër të saj do të sqarohen të gjitha”, tha Sahit Krasniqi nga trupi gjykues.
”Palët lejohet të paraqesin propozime për prova të reja, mirëpo të gjitha ato propozime duhet të jenë në kuadër të aktakuzës që e ka ngritë prokurori i shtetit”, u shpreh anëtari tjetër i trupit gjykues.
Seanca e ndërprerë sot për shkak të agjendës së prokurorit të shtetit Arben Ismajli, do të vazhdoj më 11 dhjetor.