Në fshatin Smirë të Vitisë është bërë rivarrimi i tre martirëve smirasë Avdi, Daut dhe Ali Aliu të cilët ishin vrarë në vitin 1912 nëpër shtëpitë e tyre. Eshtrat e këtyre tre martirëve që deri sot ishin të varrosur nëpër oborret e shtëpive të tyre nga sot do gjenden në varrezat e fshatit Smirë.
Në ceremoninë e rivarrimit, familjari Bajram Aliu, tha se ndjehet i nderuar që në këtë përvjetor po rivarrosen eshtrat e familjarëve të tij.
“Okuaptori serb nuk ka zgjedhur njerëz, por kënd e ka gjetur e ka asgjësuar, kështu edhe familja ime e ka përjetuar një gjë të tillë. Familja ime ka pasur 5 meshkuj, babai im ka qenë në atë kohë 12 vjeç dhe ka arritur të shpëtoj, ndërsa katër i kanë pushkatuar dhe ne sot do t’u bëjmë një nder atyre për rënien e tyre heroike”, tha Bajram Aliu.
Historiani Nazif Laçi, tha se në vitin 1912 në fshatin Smirë okupatori serb kishte filluar masakrat pikërisht nga familja Aliu.
“Ushtria serbe kishte filluar masakrat në fshatinë Komogllavë, Trestenik Goshicë dhe erdhi deri në Smirë dhe masakrat në Smirë kanë filluar pikërisht tek mahalla e Aliajve, ku nëpër oborre të shtëpive janë vrarë njerëz, kështu edhe familja Aliu humbi katër martirë të cilët u vranë nga pushtuesi serb”, tha ai.
Në rivarrimin e këtyre martirëve smirasë, morën pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Lufta jonë i ka rrënjët shumë herët, ajo që kemi përjetuar në vitet e 90-99 nuk është e para dhe e fundit, edhe pse e fundit po shpresojmë se po, por shumë para kësaj ka pasur shumë dëshmorë në gjenerata të tëra derisa kemi arritur në momentin kur i gjithë populli zgjohemi në këmbë dhe fitojmë mbi pushtuesin e vet”, tha deputeti Liburn Aliu.
‘’Smira një vend i lashtë ilir ka dhënë shumë atdhetarë të cilët kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës si kundër Perandorisë Osmane po ashtu edhe gjatë pushtimit serb, prandaj ne jemi sot këtu për t’i nderuar të gjithë ata që kontribuan për vendin”, tha deputeti Ismail Kurteshi.
Sipas familjarëve, në tetor të vitit 1912 bashkë me Avdi, Daut dhe Ali Aliun, ishte vrarë edhe Elmaz Aliu, eshtrat e së cilit nuk janë gjetur kurrë.