Për t’i nderuar dëshmorët e kombit, qindra qytetarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfaqësues të partive politike, si dhe struktura të tjera të qytetit, bënë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit. Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Gafurr Bytyqi, vlerësoi se kjo datë historike është festa më madhështore që ka populli shqiptar.
“Kjo datë ndërlidhet me shumë aktivitete kombëtare dhe patriotike, kështu që ne duhet te jemi krenarë dhe të lumtur që shënojmë këso ditë. Një sakrificë madhështore e bënë dëshmorët e kombit, ata përparësi i dhanë atdheut, kombit dhe bashkimit kombëtar dhe jo interesave të tyre biznesore e familjare, prandaj ftoj qytetetarët e këtij vendi që të bashkëpunojnë dhe të kultivojnë kulturën e bashkimit dhe unitetit të kombit tonë, kurrë mos ta gëzojmë Serbinë. Kujtoj që amaneti i dëshmorëve madje i ka kapërcyer pritjet tona në rrethanat se si është çliruar Kosova dhe si na kanë ndihmuar të tjerët, unë jam shumë i kënaqur me këto arritje, nuk kanë të ndaluar, ato duhet të shkojnë deri në fund për t’u plotësuar amaneti i dëshmorëve”, tha Gafurr Bytyqi.
Të kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në homazhet që organizohen në nderim të dëshmorëve, u shprehen edhe familjarët e dëshmorëve të kësaj ane. Vëllai i heroit Rexhep Bislimi, Kemajli Bislimi, tha se progreset që po arrihen në vendin tonë i motivojnë edhe më shumë për të besuar në të ardhmen.
“Më lejoni që në këtë festë mbarëkombëtare të bëjmë një dimension të evokimit të së kaluarës jo të lehtë, por të dhimbshme, madje dhe njëkohësisht edhe të të arriturave që kemi pas këtyre nëntorëve të njëpasnjëshëm të cilat na japin një motiv shtesë që e ardhmja është më premtuese sesa ajo që kemi lënë pas”, tha Bislimi.
Përveç homazheve, në komunën e Ferizajt nuk pati ndonjë aktivitet tjetër që shënoi Festën e Flamurit, ndërkaq përpos institucioneve publike sot nuk punuan pothuajse edhe shumica e firmave private të këtij qyteti.