Njëri nga pjesëmarrësit e aksioneve liridashëse të viteve 60-ta e që u kurorëzuan me demonstratat historike të 1968-tës, ishte edhe mësuesi i ri në atë kohë dhe veprimtari nga Ferizaj Bajram Aliu. Aliu, i cili sot ka 74 vjet, sjellë kujtimet e tij rreth atyre ditëve të lavdishme. Ai thotë se protestat u organizuan dhe u zhvilluan në rrethana jashtëzakonisht të vështira në kohën kur regjimi komunist ende vazhdonte trysninë dhe kërcënimet kundër popullit, duke ngulfatur e pamundësuar çdo aspiratë liridashëse të shqiptarëve.
“Të drejtat e tona ishin të uzurpuara, nuk kishim të drejta dhe filluam ne demonstratat me kërkesat e tona siç ishin ”Kosova Republikë”, “Duam të drejtat tona”, ”Duam Flamurin”, “Duam Universitetin” dhe kështu ne vazhduam gjatë orëve sa marshuam, mirëpo pas pak kohe filloj të intervenoj policia, i nxirrte një nga një nga radha protestuesit dhe kështu filloi të radikalizohet protesta, por ne vazhduam të marshojmë përkundër që policia ishte e përgatitur, por protestuesit ishin guximtarë, madje kishte edhe kacafytje me policinë”,tha Aliu.
Aliu, tregon se demonstratat e vitit 1968 ishin të suksesshme, sepse në vitet që pasuan shqiptarët siguruan disa të drejta në arsim e kulturë.
“Flamurin e fituam, pasi unë në 67-tën e kisha vizatuar një flamur dhe në 68-tën dasëm kam bërë me atë flamur, pra këto të drejta që i kemi kërkuar ne vetëm se i kemi pasur të garantuara, por se Serbia nuk na i lejonte, pastaj ne dosido në njëfarë mënyre u dashtë t’i realizojmë, më pas fituam edhe Universitetin pasi ne nuk kishim Universitet në Kosovë, atëherë ne edhe gjuhën shqipe e studionim në Beograd, kështu që meqë e fituam Universitetin fituam edhe disa të drejta më shumë se që i kishim, filuan të shumohen edhe studentët, pastaj në një kohë fituam edhe autonominë që ishin demonstratat e 81-tës që na ndihmuan dhe kështu që ne i realizuam disa të drejta tona”, tha Aliu.
Demonstratat e vitit 1968 simbolizojnë zanafillën e kërkesave të shqiptarëve për të drejta, pas shumë vjet vuajtjesh e sakrificash.