Në kolegjin ”Aga Xhite” në Ferizaj, kuzhina është shndërruar në hapësirën më të preferuar të fëmijëve që janë të regjistruar në këtë shkollë private.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta që zhvillohen aty, të vegjëlit mësojnë edhe si të përgatistin ushqime nga më të ndryshmet.
“Unë përgatita picë, zakonisht gatuajmë petulla, pica, e ushqime të tjera, por më së shumti këto dyja i gatuajmë dhe me pëlqen shumë ky aktivtet”, tha nxënësja Donsia Kamenica.
Ndërkaq, përfaqësues të kolegjit ”Aga Xhite”, thanë se synojnë që përmes këtij aktiviteti nxënësit të zhvillojnë aftësi të ndryshme, përfshirë këtu edhe përvetësimin e matematikës.
“Është duke u zhvilluar aktiviteti i gatimit, kuzhina ose gatimi konsiderohet një laborator që fëmijët mësojnë prej tyre dhe i shtjellojnë të gjitha shqisat e tyre. Fëmijët të cilët gatuajnë zakonisht e zhvillojnë një ndjenjë të arritjes dhe vetëbesimit dhe gjithashtu të kontributit në familjet e tyre. Duke mësuar të përgatisin ata po ashtu zhvillojnë njohuri të të ushqyerit shëndetshëm, gjithashtu gradualisht fillojnë t’iu largohen ushqimeve të përpunuara apo të shpejta dhe përveç kësaj gjatë gatimit fëmijët zhvillojnë aftësitë e matematikës siç janë matja, peshimi, koha, e të tjera”, tha Diellza Emini.
“Në kolegjin tonë përveç mësimit të rregullt që zhvillohet kemi edhe shumë aktivitete jashtë kurrikulare, kemi poashtu edhe aktivitete si lëndë zgjedhore siç janë instrumentet e këndimit, notën, programimin, pikturën, po ashtu edhe aktivitete të lira që zhvillohen pasdite siç janë loja e shahut, leximi dhe komentimi i përrallave e lektyrave, mandej kemi debate, kuize, punëdore dhe të gjitha këto ndikojnë edhe në arritjen e rezultateve, por edhe në relaksimin e tyre dhe gjithashtu në zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit të fëmijëve”, tha Fitnete Topalli.
Nga niveli parafillor deri në klasën e dymbëdhjetë në kolegjin ”Aga Xhite” në Ferizaj, janë të regjistruar 126 nxënës.