Anëtari i Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së në Ferizaj, Burim Karameta, ftoi gazetarët para komunës për t’i shprehur publikisht disa akuza në adresë të pushtetarëve të këtushëm. Ky opozitar ferizajas po thotë se ky pushtet gjatë kësaj periudhe të qeverisjes, ka dëshmuar se është qeveri e shantazheve, shpifjeve dhe linçimeve. Sipas Karametës, ditëve të fundit ka pasur largime nga puna të punonjësve shëndetësor, si dhe parregullsi të shumta që lidhen direkt me të drejtat e punëtorëve të këtij sektori.
“Është bërë në mënyrë shantazhuese të punëtorëve të ndryshëm në baza diskriminuese ku me vete posedoj disa nga deklaratat e këtyre punëtorëve që kanë dhënë dorëheqje nga pozita duke mos pranuar ndërrimin e vendit të punës për shkak të shantazhimit. Po ashtu, kemi edhe një tjetër deklaratë të punëtores tjetër shëndetësore e cila është detyruar të jap dy deklarata të ndryshme për shkak të moskomunikimit nga punëdhënësi dhe gjithashtu edhe nga shantazhimet. Gjithashtu, keni parë tashmë edhe në media që punëtori i larguar për mitmarrje është shpallur i pafajshëm, e që pushtetarët e kanë linçuar të njëjtin. Po ashtu, Inspektorati i Punës para dy ditësh ka shpallur të padrejtë urdhërin apo vendimin e kësaj qeverie që punëtorët shëndetësor të punojnë në orët e natës pa ndonjë kriter, por vetëm për shkak të urdhërit qeveritar duke shkelur çdo të drejtë të këtyre punëtorëve dhe ligjet në fuqi”, tha Karameta.
Gjatë kësaj paraqitje publike, anëtari i LDK-së Burim Karameta, ka kritikuar drejtues të shëndetësisë në Ferizaj se nuk kanë punuar asgjë në sigurimin e aparaturave të reja, ndërsa po e harxhojnë paranë publike duke i riparuar veturat zyrtare të cilat po dëmtohen qëllimisht.
“Deri më tani asnjë investim në aparaturë apo edhe asnjë aparaturë e vetme nuk është blerë për institucionet e shëndetësisë së këtushme. Gjithashtu, njeriu që ka qenë punëtori më i zellshëm i autoparkut pa të drejtë është suspenduar nga puna, ku presim që pas vendimit të organeve të drejtësisë ai t’i kthehet punës. Po ashtu, është e padrejtë prishja e veturave që kanë qenë në shërbim të qytetarëve dhe pacientëve, janë prishur dhe po shkatërrohen dhe po tentohen të riparohen nga paraja publike edhe pse sipas informacioneve të sigurta ato janë dëmtuar me faj të drejtuesve komunal të shëndetësisë”, tha Burim Karameta.
Në këtë konferencë me gazetarë, Karameta ka vlerësuar se qeveria aktuale po i ngjan një qeverie autoritare e diskriminuese mbi baza partiake.